Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kritikuar qeverinë e Maqedonisë së Veriut pasi nuk e uroi Kosovën me rastin e shënimit të 17 vjetorit të pavarësisë, duke e quajtur atë një lëshim diplomatik.
BDI theksoi se ndërkohë që Milorad Dodik u prit me nderime shtetërore, nuk pati një urim për Kosovës, duke dërguar një mesazh të keq për marrëdhëniet me shtetin fqinj.
“Harruan Kosovën, Nderuan Dodikun – Cili Është Mesazhi i Qeverisë? Me keqardhje dhe shqetësim të thellë konstatojmë një veprim të papranueshëm që ndodhi këtë vit – për herë të parë, institucionet e shtetit, përfshirë Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, nuk dërguan një urim zyrtar publik me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës”.
Sipas BDI, ky veprim dëmton fqinjësinë e mirë dhe mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet me Kosovën dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“ Ky veprim nuk është vetëm një lëshim diplomatik, por edhe një sinjal i drejtpërdrejtë që minon frymën e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal. Në të njëjtën kohë, me të gjitha nderimet shtetërore, u prit në vendin tonë Milorad Dodik – një figurë politike e njohur për qëndrimet e tij destruktive ndaj proceseve euroatlantike dhe parimeve të stabilitetit rajonal, transmeton Klankosova.tv.
“Kjo mospërputhje e qartë në trajtimin e shteteve fqinje dërgon një mesazh shqetësues për drejtimin e politikës të shtetit tonë. Një sjellje e tillë është pasojë e ndikimit në rritje të konceptit të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut – një projekt që përbën kërcënim për sovranitetin, perspektivën evropiane dhe interesat strategjike të shtetit”.
“ Promovimi i kësaj ideologjie në dëm të marrëdhënieve miqësore me Kosovën është i papranueshëm dhe i dëmshëm”.