Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur bindjen se vendi së shpejti do të shkojë në zgjedhje parlamentare.
Ai ka thënë se në situatën aktuale në të cilën ndodhet Kosova, rruga e vetme është ndalja e Kurtit.
Kreu i AAK-së tha se në Kosovë ka energji dhe kapacitetet për një gjë të tillë.
“Kjo situatë ka veç një dalje, ndaljen e Kurtit. Ne duhet t’i dalim Zot Kosovës duke e ndal agjendën e mohimit, rrezikimit e ekzistencës së shtetit të Kosovës nga Qeveria Kurti. Unë besoj shumë që në Kosovë ka mjaft energji, mjaft njerëz, mjaftë kapacitete që të ndalet Kurti dhe unë besojë që do të shkojmë në zgjedhje shpjet”, është shprehur Haradianj.
Partia që drejton Haradinaj ka iniciuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti. Por, ky mocion ende nuk ka gjetur mbështetjen edhe të dy partive tjera opozitare, PDK e LDK.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se Franca dhe Gjermania do t’i rishikojnë zotimet që i kanë bërë për çështjet ekonomike dhe politike të vizave për Kosovë dhe Serbinë, në rast se të dyja palët nuk tregohen të përgjegjshme në dialog.
Me ç’rast, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësoi se një deklaratë e tillë është kërcënim serioz për vendin, sa i përket çështjes së vizave.
“Kushtet për tu arritur liberalizimi i vizave janë plotësuar para ardhjes së Qeverisë, po ashtu edhe dakordimet. Unë bëj lutje tek të gjithë, nëse ky zë mbërrin kudo, sepse Franca ka ambasadën këtu, Gjermania po ashtu, që çështja e liberalizimit të mos përfshihet në paketën e ndëshkimeve. Populli e qytetarët e Kosovës kanë hequr shumë. Megjithatë, kërcënimi është serioz, sepse unë nuk besoj që presidenti Macron flet vetëm në emër të tij, pasi ai është njëri nga udhëheqësit kryesor të BE-së”, deklaroi Haradinaj në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ndërkaq, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke iu referuar qëndrimit të presidentit francez, ka thënë se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
E sa i përket kësaj deklaratë të presidentes, Haradinaj tha se po të ishte në vend të Osmanit, do të bënte më shumë kujdes në deklarime.
“Macron është bukur në presion të opinionit të brendshëm. Nëse Kosovës njëherë i ndodhë një pezullim, do të ishte pezullim pa kufi”, theksoi Haradinaj në Tëvë1.