Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas prezantimit të subvencioneve për bujqit nga Qeveria e Kosovës.
Haradinaj ka thënë se Qeveria Kurti i ka prerë në besë fermerët.
Postimi i plotë”
Bujqësia është sektor me rëndësi thelbësore për vendin. Ky sektor edhe në kushte normale ekonomike operon me vështirësi, e duke pasur parasysh se koha për të cilën po flasim është situatë pandemike, atëherë mungesa e dorës së shtetit ka qenë e tmerrshme.
Qeveria Kurti ka prerë në besë fermerët, të cilët në vend të rritjes së subvencioneve sipas premtimeve, në vitin e kaluar ata u përballën me papërgjegjësinë totale të qeveritarëve.
Planifikimi për vitin 2022, si duket ka nisur në kohë, por krahasimet statistikore me vitin paraprak janë qesharake.
Në kohën kur shumë shtete po e ndërprejnë eksportin e produkteve agroushqimore, duke përfshirë edhe grurin, subvencionimi i fermerëve është një domosdoshmëri, ashtu siç janë edhe masat e tjera të nevojshme për përkrahjen e këtij sektori.
Në vend të fjalëve të zbrazëta në konferenca shtypi, Qeveria duhet të ndërmerr veprime të shpejta e vendime të përgjegjshme, një prej tyre edhe kompensimi i dëmeve që i shkaktuan sektorit të bujqësisë gjatë vitit 2021, për shkak të mosveprimit me kohë të tyre.