Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka informuar qytetarët për mbarëvajtjen e procesit të brendshëm zgjedhor në partinë e tij.
Haradinaj bëri të ditur se në pesë muajt e fundit janë mbajtur mbi 400 kuvende të nëndegëve, të strukturave të rinisë dhe të gruas në Aleancë.
“Aleanca po e përfundon një proces të suksesshëm të zgjedhjeve të brendshme. Për këta pesë muaj, janë mbajtur mbi 400 kuvende të nëndegëve, të strukturave të rinisë dhe të gruas. Zgjedhjet kanë qenë gjithëpërfshirëse, të hapura e me një konkurrencë të admirueshme. Pjesa dërmuese e njerëzve të zgjedhur për të udhëhequr nëpër nëndegë, në aleancën e të rinjve apo të gruas, janë të rinj, prej të cilëve mbi 40 për qind njerëz që janë anëtarësuar në këto dy-tri vjet”, tha Haradinaj.
Haradinaj, tutje tregoi që risi e këtyre zgjedhjeve të brendshme është rikthimi i Aleancës së Gruas në 23 njësi zgjedhore, ku ka rezultuar me zgjedhjen në krye të AGK-së, Diellza Kukaj.
“Risi e këtyre zgjedhjeve, është rikthimi i Aleancës së Gruas, me 23 njësi zgjedhore, që ka rezultuar me një kuvend të suksesshëm, me garë të hapur e shumë demokratike, nga i cili kuvend, u zgjodh kryetare e AGK, Diellza Kukaj, që është me mua sot”.
Ndër të tjera, Haradinaj tha se në këtë proces të zgjedhjeve të brendshme të AAK, është rikonfirmuar përcaktimi i tyre për rend dhe ligj, për shtet të fortë e të zhvilluar e të rreshtuar me botën perëndimore të udhëhequr nga Amerika, me orientimin e pandryshueshëm, anëtarësimin në NATO dhe BE