Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj, ka thënë se për Bashkimin Evropian marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një mision i komplikuar.
Haradinaj tha se përderisa BE-ja nuk ka mundur ende ta realizojë liberalizimin e vizave për vendin, si ka mundësi ta arrijë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
“Tani pozicioni i BE-së është i njohur për Kosovën, prandaj mua më çudit kryeministri që zhgënjehet në lehtësuesin Borrell, duke u nisur nga një proces i thjeshtë liberalizimi i vizave dhe mënyra se si e ka menaxhuar BE-ja një proces kaq të thjeshtë e kaq teknik dhe si s’kanë mundur t’i realizojnë premtimet përgjatë këtyre 12 vjetëve. Prandaj nëse nuk kanë pasur mundësi ta realizojnë liberalizimi n e vizave, si do të mund të arrijnë një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë? Për BE-në besoj se ky është një operacion shumë i komplikuar dhe tërësisht i pamundur pa një angazhim vendimtar dhe të ketë rol udhëheqës ShBA-ja”, ka thënë Haradinaj.
Ajo tha se Kurti e ka kalkuluar keq pozicionin e Serbisë për takimin e djeshëm, pasi sipas saj, ai ka pritur që Vuçiqi të mos e pranojë propozimin e Borrellit për targat.
“Mua më çudit zhgënjimi i kryeministrit Kurti me ndërmjetësuesin e BE-së, sepse këtu na lë të nënkuptohet se pritjet e Kurtit ndaj lehtësuesit ishin shumë më të mëdha sesa i doli në takim, si dhe kalkulimi i pozitës së Serbisë ishte bërë keq, do të thotë ka keq kalkuluar në atë se cili do të jetë pozicioni i Serbisë apo nëse do të lëshojë pe apo jo. Ndoshta e ka menduar që Serbia nuk do të pranojë që t’i emetojë targat KS, KM e të tjera. Pritjet i ka pasur të larta dhe e ka keq kalkuluar pozicionin e Serbisë”, ka shtuar ajo.