Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media, pas takimit që kjo parti ka realizuar me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe atyre të mediave për të diskutuar për situatën e rëndë në Kosovë, tha se vendi gjendet në një situatë jo të lehtë, pas masave ndëshkuese që ka pranuar nga Bashkimi Evropian për situatën në Veri.
Takimin me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe atyre të mediave, Haradinaj, e ka cilësuar si mjaft të mirë ndërsa tha se konkluzioni i këtij takimi ishte që nuk duhet heshtur para situatës në të cilën gjendet vendi.
“Kishte kërkesë që opozita të bashkëpunojë më shumë në mes vete dhe të mos heshtim dhe të përballemi me gjendjen. Ishte një dëshirë e të gjithëve që të kthehemi në normalitet”.
Haradinaj ka paralajmëruar se në ditët e ardhshme AAK-ja do të zhvillojë diskutime edhe me pjesëmarrës të tjerë nga jeta publike e ekspertë të ndryshëm.