Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me kalimin me sukses të fazës së parë të Kosovës në anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës (KiE).
“Sot me shumicë votash, vendet anëtare të Këshillit të Evropës aprovuan kërkesën e Kosovës pro procedimit të aplikimit në këtë instancë, hap i mbarë ky por proces i vështirë”, ka shkruar Haradinaj.
Gjatë kësaj të hëne, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtete anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave ka marrë vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.
Me këtë vendim, Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Këtë e bëri të ditur ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila e quajti hap historik dhe më të rëndësishmin pas pavarësisë së vendit.