Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në Ditës e Europës, ka thënë se Kosova është vendi më i përkushtuar në Europë ndaj idealeve të Bashkimit Europian, shkruan Gazeta Metro.
Ai ka shtuar edhe se, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe pranimi i aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës janë dëshmi për vlerat evropiane që i përfaqësojmë me Kushtetutën dhe ligjet tona.
‘‘Kosova e meriton integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike! Ky është një synim për të cilin jemi përcaktuar si shtet, të orientuar për të kontribuuar në prosperitetin, paqen, sigurinë, dhe drejtësinë e kontinentit tonë, përkrah shteteve tjera të Evropës’’, ka thënë ndër tjerash Haradinaj.
Postimi i plotë:
Nuk ka vend në Evropë më të përkushtuar ndaj idealeve të BE-së se sa Kosova, e cila është pjesë e natyrshme e familjes europerëndimore. Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe pranimi i aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës janë dëshmi për vlerat evropiane që ne i përfaqësojmë me Kushtetutën dhe ligjet tona.
Kosova e meriton integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike! Ky është një synim për të cilin jemi përcaktuar si shtet, të orientuar për të kontribuuar në prosperitetin, paqen, sigurinë, dhe drejtësinë e kontinentit tonë, përkrah shteteve tjera të Evropës.
Urime Dita e Evropës!