Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka udhëtuar drejt Austrisë ku është pritur në mënyrë madhështore nga bashkëatdhetarë në Linz të këtij shteti.
Kështu ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Gjithmonë i lumtur e i nderuar në mesin e bashkatdhetarëve, si sot në Linz të Austrisë. Biseduam për zhvillimet politike në vend, gjendjen ekonomike e energjetike. Dëgjova edhe për sfidat e komunitetit shqiptar atje, organizimin e tyre kulturor e politik”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka nderuar me medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” disa bashkëluftëtarë dhe familje dëshmorësh, e po ashtu edhe aktivistë të AAK-së atje.
“Me këtë rast kam ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për disa bashkëluftëtarë dhe familjarë dëshmorësh, si dhe aktivistë të AAK-së në Austrinë e Lartë”, ka shkruar Haradinaj.
Në kuadër të kësaj vizite, Haradinaj ka qenë edhe në disa biznese dhe klube të shqiptarëve.
“Gjatë qëndrimit në Linz, gjithashtu kam vizituar biznese, klube e shoqata të shqiptarëve atje; te biznesi i djemve të Dëshmorit Abdullah Bugari nga Rahoveci, Adri dhe Nuri; Unioni i Grave në Diasporë të udhëhequr nga Adriana Sherifi; Furra “Nora” e familjes Muhadri, aktivistë të AAK-së që nga ditët e para; klubin Daphina të Fatmir Gashit dhe klubin Festimi të Albert Berishës”.
“Kam takuar gjithashtu Kolonel Pfil Günther Rosenitz, Drejtor Gjeneral i Akademisë për Paqe dhe Siguri në Evropë, zv. president i Institutit për Studime të Evropës Juglindore, njëherësh profesor në Bazën Ushtarake Amerikane në Granisch. Po ashtu kam takuar bashkëluftëtarin Nazmi Kastrati dhe kam shijuar dreken në hapësirat e Shoqatës “Dardania” udhëhequr nga Mehdi Prushi”, ka përfunduar ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.