Lideri i AKR’së, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që t’i përfillë këshillat e vendeve mike, pas vendimit që e mori për targat.
Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook tha se vendimi i fundit i kryeministrit Kurti për targat është vendim shkurtpamës e që mund të jetë edhe me pasoja për vendin.
“Është e papranueshme kur ne u kërkojmë demokracive më të fuqishme të Botës të na ndihmojnë t’i japim fund mosmarrëveshjeve shekullore me Serbinë, dhe pikërisht kur ato janë në kulmin e angazhimit, kryeministri ynë vepron krye në veti e pa koordinim me partnerët strategjik”, shkroi Haradinaj.
Tutje, ai tha se kryeministri Kurti duhet t’i analizojë mirë hapat e tij, dhe i kërkoi që ta rishikojë vendimin për targat.
“Kryeministri duhet t’i analizojë mirë hapat e tij dhe në këtë fazë jetike për vendin duhet të jetë në harmoni të plotë me Amerikën dhe BE-në. Andaj, i kërkoj ta rishikojë edhe vendimin për targat.
Dua të besoj se zhgënjimi i shprehur i partnerëve tanë me këtë vendim të kryeministrit, nuk do të ketë pasoja për marrëdhëniet e shkëlqyera që ka Kosova me ta”, tha ai.