Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka reaguar kryetarit të Pejës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxherit.
Haradinaj citon se Muhaxheri ia ka ngarkuar “në qafë” demarkacionin me Malin e Zi, Haradinajt, ndërsa ky iu është përgjigjur duke i thënë “gjuha prej tuli është”
“…zoti Muhaxheri duhet ta dijë se kur ta lënë “kopilin te dera”, duhet të merresh me të, e ai e di më mirë se kushdo tjetër se kush na e la kopilin e demarkacionit te dera.”, thotë Haradinaj.
Ky është postimi i tij:
Paska folur Gazmend Muhaxheri edhe një herë për demarkacionin duke ma ngarkuar në qafë veç mua. Ani se populli thotë “gjuha prej tuli është”, zoti Muhaxheri duhet ta dijë se kur ta lënë “kopilin te dera”, duhet të merresh me të, e ai e di më mirë se kushdo tjetër se kush na e la kopilin e demarkacionit te dera.
Unë dhe partia ime, duke qenë krejtësisht vetëm në këtë temë, kemi bërë aq sa ka qenë e mundur, duke e rikthyer demarkacionin në procedurë korrigjimi, kjo duke e siguruar edhe pajtimin e Malit të Zi. Mirë do të ishte të flasë për ata që e kanë gatuar edhe asociacionin edhe demarkacionin, e jo ta drejtojë gishtin nga ata që janë mundu ta ndreqin edhe të pandreqshmen!.