Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime për familjarët e të vdekurve pas tërmetit që ka goditur sot Turqinë.
Ish-kryeministri Haradinaj në një postim në rrjete sociale i ka propozuar Qeverisë së Kosovës për ndarjen e një fondi emergjent për Turqinë.
“I prekur thellë nga ngjarjet tragjike pas tërmetit të fuqishëm që goditi sot Turqinë. Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të plagosurit. Në këto rrethana të vështira për popullin e Turqisë, lutemi që kjo gjendje të kalojë me sa më pak viktima dhe me sa më pak dëme! I propozoj Qeverisë së Kosovës ndarjen e një fondi emergjent për ofrimin e ndihmave të nevojshme humanitare dhe ofrimin e ndihmës së njësive operacionale nga FSK-ja”, ka shkruar Haradinaj.