Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në mesin e pesë çështjeve, ia ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti, rishikimin e vendimit për projektin e gazsjellësit amerikan, që sipas tij, është projekt ekonomik e i sigurisë.
Haradinaj ia renditi Kurtit edhe disa pika që sipas tij duhet vepruar.
“Përfundojeni Strategjinë e Sigurisë së Republikës së Kosovës. Sillni në Kuvend amandamentet e Ligjit të FSK, me nenin për donacione. Sillni në Kuvend projektligjin për Fondin për Donacione për FSK. Rishikojeni vendimin tuaj për projektin e gazsjellësit amerikan dhe miratojeni të njëjtin, pasi që nuk është vetëm projekt ekonomik por edhe i sigurisë. Hiq dorë nga dialogu i teknikëve dhe përcaktohu në procesin e marrëveshjes finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, ka shkruar ish-kryeministri Haradinaj në Facebook.
Ai theksoi se çdo hezitim e vonesë, për të vepruar në këtë drejtim, sipas Haradinajt, është rrezikim i sigurisë së vendit “për çka do t’iu mbajmë përgjegjës”.
Vitin e kaluar kur ishte ngritur çështja e gazit amerikan, Kurti pati deklaruar se nuk është refuzuar ky projekt, por se Qeverisë i duhen më shumë informacione.