Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka dënuar rastin e djegies së shtëpisë së një serbi të Kosovës.
“Kosova, si një vend demokratik dhe me aspirata euro-atlantike, i garanton të drejtat themelore për një jetë të sigurt dhe pronë të pacenueshme të gjithë qytetarëve të saj”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
“Ne, me krenari duhet të jemi konform kushtetutës sonë, duke marrë obligim për të mbrojtur dhe respektuar të gjithë në mënyrë të barabartë, për të bërë të mundur që secili të ndihet si në shtëpinë e vet, duke përfshirë këtu të gjitha komunitetet”.
“Djegia e një shtëpie e një qytetari serb, shtetas i Kosovës, është vepër e papranueshme si dhe kundër përkushtimit tonë për paqe dhe stabilitet”.
Haradinaj i ka ftuar autoritetet që t’i nisin hetimet dhe të vendosin eventualisht drejtësi për këtë rast.
“Ftoj organet e rendit dhe të ligjit që sa më parë të sjellin para drejtësisë kryesit e këtij sulmi të shëmtuar!”