Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, është zotuar se sapo ta marrë postin e kryeministrit do t’i rris pagat për 50 për qind, kurse pensionet për 70 për qind.
Ai sqaroi gjerë e gjatë se si do të bëhet rritja e pagave dhe pensioneve.
“Unë e kam premtim të lartë edhe qëndroj mbrapa. Edhe kom deklaru publikisht, nëse pagat nuk rriten deri më 31 dhjetor të këtij viti, më 1 janar të vitit të ardhshëm nuk jam kryeministër. Nuk rri në zyre, s’kam nevojë. Pagat do të rriten në fillim të mandatit 50% për të gjitha kategoritë që realizojnë paga përmes buxhetit të Kosovës, në përjashtim për pozitat politike që kanë paga më të larta dhe normalisht që nuk është e njëjtë rritja sikur dikush që e ka bazën e pagës 600 euro si dikush 1000 euro.
Prandaj e ka logjikën e vet edhe e ka shpjegimin e vet. Po për mësues, mjekë, profesor, arsimtar, zjarrfikës, polic, ushtar, shërbyes civilë do të jetë rritje për 50 për qind. Dhe kjo e ka koston e vete, normalisht që e ka koston.
Do të rriten edhe pensionet. Pensionet kontributdhënëse do të rriten dhe do të përshkallëzohen. Çka nënkupton kjo, është vendosur një standard 15 vjet për me e fitua të drejtën e një pensionisti kontributdhënës, ka njerëz që e kanë humbur këtë të drejtë për 1 javë ditë dhe është e padrejtë dhe kjo do të përshkallëzohet dhe nëse me 15 vjet ti e merr 100 për qind, me 15 vjet ti e merr 95 për qind, me 13 e merr 90 për qind dhe secili do të përfitojë.
Dhe pensionet bazike apo pensionet e moshës do të rriten 70 për qind. Do të rriten pensionet për kategoritë e dala nga lufta, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët 50 për qind. Do të rriten pensionet edhe për të gjitha kategoritë e tjera të cilat përfitojnë një lloj pensioni, pagese prej buxhetit të shtetit, familjet me asistencë sociale, personat paraplegjik e tetraplegjik, personat e verbër, viktimat e dhunës seksuale, pensionistët e parakohshëm të Trepçës, TMK-së, FSK-së, e të gjitha kategoritë e tjera”, sqaroi në detaje Hamza.