Bedri Hamza, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se ende nuk kanë një “Po” nga partitë opozitare për formimin e një qeverie të re me ato që aktualisht janë në opozitë.
Hamza tha se fillimisht është radha e Lëvizjes Vetëvendosje për të tentuar krijimin e qeverisë.
Sipas tij, pasi të kalojë kjo fazë, PDK është e gatshme të bisedojë në mënyrë të hapur dhe korrekte me partitë opozitare për një mundësi koalicioni.
“Ne presim radhën, e dyta nuk mund të flas ende për partitë që kemi qenë në opozitë, duke përfshirë edhe minoritetet, por besoj se është e lehtë të arrijmë një marrëveshje. Po jam i gatshëm të ulem dhe të bisedoj në mënyrë shumë korekte. Nuk e kemi ‘Po-në’. Me biseduar në mënyrë të hapur dhe për detaje të caktuara, që të mos pengohet krijimi i institucioneve”, tha Hamza.
“Unë nuk i di ende qëndrimet e partive tjera opozitare. Kur të kemi qëndrim, dhe nëse dështon LVV, mendoj se ndarja e ministrive nuk duhet të jetë problem për të krijuar institucione funksionale,” tha ai në Pressing të T7.