Deputeti i PDK-së, Xhait Haliti, ka thënë se |Kosova nuk duhet t’i bashkohet iniciativës Ballkani i Hapur përderisa nuk njihet si shtet nga Serbia.
Haliti ka shtuar se në anën tjetër kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është duke e përgatitur shtetin e tij për negociata të anëtarësimit në BE dhe i ka interesat e tija, ndërkohë që ka kritikuar politikanët kosovarë që sipas tij po mundohen ta paraqesin Ramën si “gogol”
“Mua po më bën përshtypje për të keq deklaratat publike të politikanëve të Kosovës për Ballkanin e Hapur. Në një anë që po e paraqesin Shqipërinë dhe kryeministrin e Shqipërisë si gogol. Mendoj që Rama është kryeministër i Shqipërisë dhe ai po e përgatitë Shqipërinë për të nisur negociatat në Bashkimin Evropian. Ne kemi interesa tona të cilat duhet t’i mbrojmë. Ne nuk mund të jemi në këtë forum derisa Serbia nuk na pranon si shtet. Si çka jemi ne aty? Ka filluar konferenca e famshme e Procesit të Berlinit. Interesi i BE-së dhe i NATO-s është që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e BE-së”, ka thënë ai në KTV.