Sibel Halimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka pasur kritika të ashpra ndaj Ministrisë së Kulturës që drejtohet nga Hajrulla Çeku.
Halimi me anë të një video-adresimi ka deklaruar se kultura në Kosovës për “dy vjet qeverisje ka shënuar degradim të shumanëshëm” derisa ka përmendur mungesën e investimeve kapitale.
Zëdhënësja politike dhe anëtarja e kryesisë së kësaj partie ka akuzuar MKRS-në edhe për “militantizim të skajshëm të institucioneve”.
“Skena kulturore në Kosovë është sot më e varfra në Evropë,” – shprehet Halimi në fjalën e saj.
“Hovi i zhvillimit të kinematografisë kosovare me të cilin krenoheshim është stopuar duke iu falënderuar paaftësisë së kësaj ministrie…” – vazhdon tutje Halimi, që me vokacion është edhe poete dhe mes njerëzve të LDK-së po merret më aktivisht me fushën e kulturës.