Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ish-numri dy i Kurtit në qeverisjen Kurti I, dikur kundërshtuesi i “Zajednicës”, sot po e mbështet fuqishëm themelimin e asaj që subjekti i tij politik tash po e quan Asociacion i Komunave me shumicë serbe.
Abazi, që dikur e shihte Asociacionin si mundësi të Serbisë për pushtim të territorit, sot po e përkrah themelimin e tij sipas Kushtetutës së Kosovës.
Ish-krahu i djathtë i Kurtit ka shpërndarë deklaratën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili mbështet një asociacion sipas Kushtetutës dhe nuk lejon Bosnjëzimin e Kosovës.
“Qartë dhe drejtë”, ka mbishkruar në deklaratën e ambasadorit Hoveiner deputeti i VV-së.
“Ndonëse disa zyrtarë të SHBA-së e kanë bërë të qartë, dua t’ua bëjë qartë edhe unë pozicionin e SHBA-së. Ne nuk mbështesim asnjë marrëveshje që cenon Kushtetutën e Kosovës, që nuk qëndron me vendimin e Gjykatës Kushtetutese të vitit 2015 apo që kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multi-etnicitar të Kosovës apo institucionet demokratike. Ne kundërshtojmë rreptësishtë krijimin e çdo entiteti që i ngjan Republikës Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, ka deklaruar Hovenier.
Abazi viteve të fundit është bërëlobues i themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ai ka filluar të kërkojë krijimin e draftimit të një Asociacioni bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Jo më larg se para gati tri vitesh, Abazi kritikonte ish-ambasadorin amerikan, Matthew Palmer, për atë që ai e quante “heshtje” karshi negociatave që bëheshin me Serbinë.
“Shkuarja e Hysenit në Washington DC është në shërbim të Dacicit dhe projektit të tij për të realizuar qëllimet e Milloshevicit duke e involvuar Rusinë në mënyrë formale në çështjet e hapura në Ballkan. Hyseni është në shërbim të dreqit dhe jo Kosovës. Gjithsesi asociacioni i komunave serbe nuk mund të prezantohet si më pak i rrezikshëm se çështja e ndryshimit të kufinjëve, kjo për faktin se ky është një stacion i rrezikshëm i rradhës dhe gjithashtu nuk përjashton apetitin e Serbisë për të marrë territor pas një pauze tjetër. Në këtë kontekst duhet analizuar deklaratën e Palmer dhe heshtjen e Ambasadës Amerikane kundrejtë naivitetit diplomatik e politikë të qeverisë kuislingë”, deklaronte ai.