Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Shpesh herë veturat nuk janë të sigurta as në oborret e shtëpive, pasi që keqbërësit arrijnë që të depërtojnë edhe aty dhe të kryejnë qëllimet e veta, raporton Sinjali.
Kështu e ka pësuar edhe një banor i fshatit Sllovi të komunës së Lipjanit, pasi persona të panjohur kanë vjedhur veturën e tij të tipit Golf 2-sh të cilën e kishte parkuar në oborrin e shtëpisë.
Sinjali mëson se e gjithë kjo kishte mbetur një vjedhje në tentativë, pasi që të dyshuarit kishin braktisur veturën e vjedhur pak metra larg shtëpisë prej ku e morën.
21-vjeçari ka deklaruar se e ka gjetur veturën në arat që ndodhen në afërsi të shtëpisë së tij.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që të dyshuarit nuk janë identifikuar ende.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë në tentativë’.