Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. E cak i hajnave shpesh herë janë edhe shtëpitë e mërgimtarëve, të cilat në Kosovë mbesin të mbyllura në shumicën e muajve të vitit, raporton Gazeta Sinjali.
Njëjtë e ka pësuar shtëpia e familjes Jashari nga Ferizaj të cilët jetojnë jashtë vendit. Shtëpia e tyre dje pasdite u thye nga hajnat të cilët shkaktuan dëme materiale që kapin një vlerë marramendëse.
Sinjali mëson se rasti u zbulua pasi zyrtarët e një kompanie së sigurimeve bashkë me mbikëqyrësin e shtëpisë, kanë shkuar atje për të rregulluar alarmin.
Bazuar në dëshminë e mbikëqyrësit, posa kanë arritur atje, kanë gjetur shtëpinë e demoluar dhe si rrjedhojë kanë njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës dhe pronarin e shtëpisë.
Ky i fundit ka bërë me dije se hajnat kanë arritur që të marrin nga shtëpia një numër të konsiderueshëm të armëve si pistoleta, snajperë, armë gjuetie, gjysmëautomtike dhe gjashtë lloje tjera. Po ashtu janë vjedhur rreth 1 mijë fishekë, më shumë se 20 thika, dylbi, stoli ari në vlerë të rreth 2 mijë eurove dhe para të gatshme rreth 400 euro.
Për disa nga armët e vjedhura, Policia është njoftuar se kanë leje nga organet kompetente, por janë me afat të skaduar.
Sipas pronarit të shtëpisë, vlera e dëmit të shkaktuar dyshohet të jetë rreth 150 mijë euro.
Njësitë policore kanë kryer ne vendin e ngjarjes të gjitha ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, teksa vazhdojnë hetimet për gjetjen e të dyshuarve dhe arrestimin e tyre.