Vjedhjet në shtëpi, banesa, institucione e zyra të ndryshme në vendin tonë nuk po kanë të ndalur. Herë vetëm e herë në grup, hajnat po arrijnë të kapin para të gatshme, stoli të ndryshme, pajisje të punës e gjithçka tjetër me vlerë. Cak i vjedhjes gjatë ditës së djeshme ka qenë edhe një depo në lagjen Arbana në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti është denoncuar paradite nga pronari i depos, i cili ka deklaruar se dëmi i shkaktuar si pasojë e vjedhjes kap vlerën e mbi 56 mijë eurove.
Siç mëson Sinjali, vjedhja dyshohet së është kryer gjatë natës, periudhë kjo që është shfrytëzuar nga hajnat, të cilët kanë arritur të vjedhin disa makina suvatimi e pajisje të tjera për ndërtimtari dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera do ndërmerren posa të kapen të dyshuarit.