Siguria në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri nëpër banesa e shtëpi. Një rast i rëndë i vjedhjes ka tronditur familjen Bislimi në lagjen Hajvalia të Prishtinës, ku hajnat kanë bërë kërdi, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti dyshohet se ka ndodhur para disa ditësh dhe u denoncua nga tre anëtarë të kësaj familje, që raportuan se kanë pësuar humbje të mëdha nga vjedhja në shtëpinë e tyre në rrugën “Ali Duli”.
Sipas informacioneve të para që ka Sinjali, hajnat kanë marrë një shumë të konsiderueshme parash prej 9,000 euro, stoli të ndryshme në vlerë të 7 mijë eurove dhe gjësende luksoze në vlerë të mijëra eurove.
Bazuar në dëshminë e viktimave, përveç këtyre, janë vjedhur edhe materiale ndërtimore dhe pajisje elektronike, duke e çuar dëmin total në rreth 30,000 euro.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohen dhe të kapen të dyshuarit.