Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Gjatë ‘aksionit’ të vjedhjes, hajnat gjurmojnë që të gjejnë gjëra me vlerë në shtëpi siç janë paratë dhe stolitë e arit, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu e ka pësuar mbrëmë edhe një familje në rrugën ‘Luan Haradinaj’ në Prishtinë, ku persona të panjohur kanë hyrë brenda banesës dhe kanë arritur që të marrin një sasi të konsiderueshme të stolive të arit.
Sinjali mëson se rastin në Policia e ka denoncuar një 34-vjeçar, sipas të cilit hajnat që i thyen banesën morën stoli ari dhe ora dore të cilat kapin vlerën e 25 mijë eurove. Hajnat po ashtu kanë vjedhur edhe një telefon celular.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.