Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres përshëndeti në raportin e ri për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) arritjen e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me vlerësimin se korniza e re e dialogut ka potencial për të përmirësuar procesin drejt arritjes së zgjidhjeve afatgjata.
Në raportin për periudhën nga 16 shtatori 2022 deri më 18 mars 2023, i cili do të diskutohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KSB) nesër në Nju Jork, Guterres deklaroi se do të jetë i nevojshëm angazhimi konstruktiv në zbatimin gjithëpërfshirës të Marrëveshjes për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar ripërtëritjen e tensioneve dhe konflikteve.
Ai tha se inkurajon përfshirjen më të madhe të grave, të rinjve dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë civile në proceset që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Palët janë zotuar plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në mënyrë të qëllimshme dhe në mirëbesim. Kjo është edhe më e rëndësishme sepse ngjarjet gjatë periudhës së vëzhguar kanë sjellë tensionet në një nivel krize, duke rezultuar në ngecjen më serioze që nga fillimi i procesit të dialogut në vitin 2011”, shkroi Guterres.
Në raportin, i cili do të prezantohet në seancën e nesërme nga kreu i UNMIK-ut Karolin Zijade, Guterres shtoi se “retorika e intensifikuar dhe nxitëse nga të gjitha anët, vendosja e postblloqeve, incidentet e shumta të sigurisë dhe protestat në veri të Kosovës kanë rritur rrezikun e dhunës”.
“Incidentet e karakterit etnik, përdorimi i armëve të zjarrit dhe lëndimet, si në mesin e civilëve, ashtu edhe në mesin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, si dhe shënjestrimi i dukshëm i gazetarëve dhe akterëve ndërkombëtarë të sigurisë, ishin brengosës të veçantë. Të gjitha palët duhet të ushtrojnë përmbajtje dhe të sigurojnë që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore përmes dialogut dhe jo me përshkallëzim”, shkroi Guterres.
Në raport, i cili nuk përfshin zgjedhjet lokale të javës së kaluar në katër komuna në veri të Kosovës, Guterres deklaroi se përparimi i mëtutjeshëm në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është “kyç për krijimin e kushteve për kthimin e përfaqësuesve serb të Kosovës në institucionet e Kosovës në veriun e Kosovës”.
Në seancën e nesërme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për punën e UNMIK-ut, e cila fillon në ora 21:00, Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen nga ministrat e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe Ivica Daçiq.