Një përleshje mes dy grupe të të rinjve që ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Abdullah Tahiri” në Gjilan kaloi në sulm fizik, me ç’rast u përdor edhe thikë, ku si pasojë mori lëndime të rënda një 19-vjeçar, raporton Gazeta Sinjali.
Policia njoftoi se deri më tani një person është arrestuar për këtë rast, ndërkohë që viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor.
Sinjali ka mësuar identitetin e të riut që ra në prangat e Policisë, si i dyshuar kryesor për këtë përleshje, motivet e së cilës ende nuk dihen.
Sipas burimeve të Sinjalit brenda Prokurorisë i dyshuari që u arrestua është Fetah Abazi, 20-vjeçar, i cili dyshohet se bashkë me shokët e tij A.M.., L.M. dhe L.M., e kanë sulmuar një grup tjetër të të rinjve.
Therjes me thikë dhe sulmit brutal dyshohet se i parapriu një përleshje mes dy palëve që kishte ndodhur po ashtu gjatë ditës së djeshme.
Ndaj të arrestuarit, Prokuroria ka lëshuar urdhër për ndalimin prej 48 orësh, si i dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata