UASHINGTON – Aeroplanët ushtarakë C-17 filluan të transportojë të premten imigrantët e arrestuar nga Shtetet e Bashkuara nën urdhrat e Presidentit Donald Trump, ndërkohë që Pentagoni po bën përgatitjet për të dërguar forca shtesë në kufirin jugor, përfshirë divizionin elitar ajror të 82-të të ushtrisë.
Avionët e ushtrisë amerikane janë përdorur në të kaluarën për të bërë transportin e individëve nga një shtet në një shtet tjetër, sikur ndodhi gjatë tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Afganistani në vitin 2021.
Por kjo është hera e parë brenda një periudhe kohore që mbahet mend që Shtetet e Bashkuara përdorin avionë ushtarakë për të transportuar imigrantë jashtë Shteteve të Bashkuara, sipas një zyrtari.
Në ditën e parë të mandatit të tij, Presidenti Trump e shpalli imigrimin e jashtëligjshëm emergjencë kombëtare, duke autorizuar ushtrinë amerikane që të ndihmojë me çështje e sigurisë së kufirit, duke nënshkruar një ndalesë gjithëpërfshirëse për azil dhe duke ndërmarrë veprime për të kufizuar dhënien e shtetësisë për fëmijët e lindur në tokën amerikane.
Urdhri i tij ekzekutiv i nënshkruar me 20 janar udhëzoi Pentagonin të dërgojë sa më shumë forca që të jetë e nevojshme për të siguruar “kontrollin e plotë operativ në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara”.
“Fluturimet për dëbim kanë filluar”, shkroi të premten në platformën X zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Të premten, dy avion ushtarakë amerikanë, secili me nga 80 imigrantë, fluturuan nga Shtetet e Bashkuara drejt Guatemalës, i tha agjencisë Reuters një zyrtar.
Pentagoni njoftoi se ushtria amerikane do të kryejë fluturime për dëbimin e mbi 5 mijë imigrantëve që mbahen nga autoritetet amerikane në El Paso, Teksas dhe në San Diego të Kalifornisë.
Në fillim të kësaj jave, administrata e Presidentit Trump tha se ushtria amerikane do të dërgojë edhe 1,500 ushtarë amerikanë në kufirin me Meksikën.
Zyrtarët amerikanë i thanë agjencisë ‘Reuters’ se ushtria po bën përgatitjet për të dërguar një valë të dytë të trupave në kufi me Meksikën në fillim të javës së ardhshme, të cilët ka mundësi që të përfshijnë në radhët e tyre pjesëtarët e divizionit ajror të 82-të. Zyrtari tha se ekziston mundësia që të dërgohen me mijëra trupa shtesë, por vendimi zyrtar nuk është marrë ende.