“Hape derën, mos prit që unë do të lirohem”, i tha Nasimi nga Haga, bashkëshortes së tij në Gllogjan. Gjejlone Haradinaj rrëfen se çfarë i tha ai, disa orë para fillimit të seancës për shpalljen e aktgjykimit të tij dhe Hysni Gucatit.
Ajo deklaron për KosovaPress se ka qenë e pritshme që të dënohen, por ajo kërkon drejtësi.
Gjejlona pas vendimit për burgim prej katër vjet e gjysmë për Nasim Haradinajn shprehet se me mëngjes ka hapur dyert për mysafirë, duke pritur se bashkëshorti i saj nuk do të lirohet.”Nasimi thirri në ora 07:00 edhe ka qenë shumë i relaksuar, i disponuar si gjithherë. Thotë ‘hape derën, mos prit që unë do të lirohem’, ashtu siç kemi biseduar gjithmonë edhe ka qenë shumë i qetë… Edhe ai ka thënë çdo gjë që është e nevojshme për popullin tonë, për atdheun do e bëjë çdo herë. Çështja individuale e Nasimit nuk është në pyetje”, tregon Haradinaj.
Ajo shprehet se edhe në vizitat dhe komunikimet tjera përmes telefonit që kanë pasur me Haradinajn gjatë kësaj kohe sa po gjykohet në Hagë, Nasimi ka qenë gjithmonë i qetë.
Sipas saj, ky dënim ka qenë i pritshëm prej ditës kur ai është “kidnapuar”.
“Për mu edhe për Nasimin ka qenë e pritshme, se prej ditës të parë kur është marrë Nasimi, kur është kidnapuar, ka qenë e padrejtë. Po të kishte ndodhur tjetra, do të isha befasuar. Këtu po tregon se nuk ka aspak drejtësi në atë gjykatë nuk ka”, shprehet ajo.
Mes emocioneve, Gjejlone Haradinaj thotë se është e irrituar me deklaratën e prokurorit i cili foli në emër të popullit.
“Unë tërë kohën kam qenë e koncentruar ta shoh vetëm Nasimin. Fjala që mua më la mbresa dhe më irritoj ishte fjala e prokurorit, kur tha ‘në emër të popullit’. Nuk mundesh ta dënosh Nasimin që bën çdo gjë për popullin, në emër të popullit. Populli Nasimin nuk e dënon, e dënon vetëm Serbia edhe ata që bashkëpunojnë me Serbinë. Ajo ka qenë për mua shumë e rëndë. Që ata e dënojnë me katër vjet e gjysmë Nasimin, mua më është dukur si me dënu Serbia. Nga Serbia nuk presim asgjë as unë, as Nasimi”, shton ajo.
Ajo komenton edhe paraqitjen e bashkëshortit të saj, i cili gjatë gjithë kohës ishte i buzëqeshur dhe i veshur me kollare me shqiponjën kuq e zi.
“Ashtu siç është Nasimi. Nasimi ka qenë vetvetja. Nasimi është krenar dhe mburret, me popullin e vet, me luftën e UÇK-së edhe për atë ai bën çdo gjë që të mbrohet drejtësia edhe të del e vërteta. Që lufta që e ka bërë UÇK-ja ka qenë e drejtë, ne nuk kemi shkuar në Beograd për të luftuar por ne kemi mbrojtur trojet tona, shtëpitë tona, ne kemi qenë të okupuar. Serbia ka ardhur tek ne të na okupojë e masakrojë, po të ishin dalë në gjykim serbët që kanë bërë krime, plus ata që i kanë vënë dokumentet po ata të ishin dënuar, do të ishte e arsyeshme. Të dënohet pala e tretë, pas asnjë gjë, është e pakuptimtë. Kjo për mua është një skandal që ndodhë mes Evrope në këtë kohë”, thotë ajo.
Bashkëshortja e Nasimit, Gjejlonja thotë se avokati do të bëjë ankesë për këtë vendim.
Ajo përsërit si familje qëndrimin kundër mandatit të Gjylatës Speciale, ku thekson se po i kushton familjarëve dhe shtetit të Kosovës.
“Nasimi ka qenë kundër, por edhe ne si familje jemi kundër këtij vendimi të gabuar që do t’i kushtojë familjarëve dhe shtetit të Kosovës. Me u barazu viktima me okupatorin, kjo është shqetësuese, shumë shqetësuese. Po shpresoj qe institucionet do të mendojnë diçka për Kosovën. Kjo i kushton Kosovës… Unë kërkoj drejtësi, por nuk po di ku të kërkojë drejtësinë. Ushtria jonë nuk ka bërë kurrë krime, ne nuk kemi pasur mundësi të bëjmë kurrë krime, çdo njeri e dinë”, përfundon ajo.
Nasim Haradinaj e Hysni Gucati janë dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim dhe me gjobë prej 100 euro e cila duhet të paguhet deri më 18 korrik 2022. Ata janë shpallur fajtor për të njëjtat pika të aktakuzës ndërsa të pafajshëm për pikën e hakmarrjes./Lajmi.net