Protesta e studentëve dhe akademikëve para Ministrisë së Arsimit në Beograd dhe një pankartë me mbishkrimin “Grevë e përgjithshme”, 19 janar 2025.
Grevë e përgjithshme” është slogani që dëgjohet gjithnjë e më shpesh në protestat e studentëve në Serbi, që tash e dy muaj bllokojnë fakultetet në të gjithë vendin.
Mijëra njerëz e thirrën atë më 20 janar, gjatë një tubimi të përbashkët të punonjësve të arsimit dhe studentëve në qendër të Beogradit.
Më 22 janar, akademikët u bënë thirrje zyrtare qytetarëve që të përfshihen në “një mosbindje të përgjithshme civile” më 24 janar, që nënkupton ndërprerje të plotë të punës dhe mospjesëmarrje në transaksionet e tregut gjatë gjithë ditës.
Stafi i disa shkollave në Serbi ka hyrë në grevë që nga 20 janari, duke kërkuar kushte më të mira pune, si dhe plotësimin e kërkesave të studentëve, të cilët, përmes bllokadave, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor.