“Ka kohë edhe dy muaj”, pati thënë i papreokupuar Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, pyetur rreth ardhjes së Administratës së Donald Trump.
Dy muaj më vonë e pas dy ditësh inaugurimi të Donald Trump, erdhi edhe ‘kritika’ e parë nga Emisari Presidencial për Misioni të Posaçme (ku përfshihet edhe Kosova), Richard Grenell.
Shkas një deklaratë e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, i cili fajësoi Administratën Obama (me zv/president Joe Biden) dhe Administratën Biden, se “kanë vendosur Kosovën në pozitë të disfavorshme ndaj Serbisë”.
Grenellit s’iu deshtën as dy ditë që nga kthimi në pushtet atje që t’i drejtohet qeverisë kosovare – me të cilën marrëdhëniet në vitin 2020 i kanë lënë thellësisht të lënduara.
“Këta shpenzuan katër vite duke komplimentuar Joe Biden-in dhe duke marrë pjesë në konventa dhe festa të tyre. Pse nuk u ankuan më parë?”, shkroi Grenell në “X”.
Javë më parë në një prononcim ekskluziv për “Nacionale” Grenell konstatoi se “për herë të parë në 35 vite” të marrëdhënieve Kosovë-ShBA relacionet qeveria e Albin Kurtit i shndërroi në “partizane” dhe “në krizë”.
Kjo pasi Kurti qysh prej 2020’ës kishte marrë anë dhe bërë thirrje të votohet Joe Biden si dhe në vitin 2024 kishte marrë pjesë në Konventën e Demokratëve ku po nominohej Kamala Harris si kandidate për Presidente të ShBA-së nga radhët e demokratëve.
Kjo kishte qenë e paparë në historinë kosovare që një udhëheqës shteti të pozicionohet në raport me qeveri amerikane – marrëdhënie kjo historikisht dy-partiake.
Kosova është çliruar me Demokratët në pushtet, pavarësuar me Republikanë në pushtet.
“Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti, që të gjithë kishin marrëdhënie të shkëlqyeshme me Republikanët dhe Demokratët në Amerikë. Hera e vetme në 35 vite kur marrëdhëniet Kosovë – ShBA (edhe Kosovë – BE) u bënë partizane dhe në krizë, janë me Albin Kurtin kryeministër”, pati thënë Richard Grenell për Nacionale.
Kjo deklaratë e Grenellit pati ardhur vetëm disa orë pasa Kurti në një intervistë me “KosovaPress” ia dha intervistueses – nga e cila s’u sfidua fare as me ndonjë nënpyetje të thjeshtë, dhe as e informuar – se Grenell s’do të ketë punë me Kosovën por “Korenë e Jugut (në fakt të Veriut) dhe Venezuelën”.
Dhe, shtonte ai, se raportet në të kaluarën “nuk do të kenë ndikim” në të tashmen.
“Marrëdhënie të shkëlqyera”, i përkshkroi Kurti vendit, dhe ato jo vetëm në diplomaci “por edhe në mbrojtje dhe zhvillim” duke përmenduar blerje të armëve, siç janë Javelin-ët.
“Nuk shoh kurrfarë vështirësish për marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA, që janë partneri ynë kryesor. Unë nuk besoj që do të ndikojnë në raportet tona”, tha Kurti.
Ditëve të fundit me Grenell – në prag të inaugurimit të Trump – u takua edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se Grenell në fushëveprimin e ri të caktauar nga Trump do ta ketë edhe Kosovën.
Madje shtoi se Kosova do të ketë edhe vështirësi, sipas tij, nëse nuk ndërrohet qeveria.
“Ne duhet i kryejmë punët e shtëpisë, puna e parë është me mbrojtë qeverinë po nuk e ndërruam këtë qeveri do ta kemi vështirë me këtë administratë”, tha Haradinaj.
Nacionale muaj më parë raportoi se Grenell do ta ketë fushëveprim edhe Kosovën, përkatësisht çështjet e normalizim mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mandati i tij…do të përfshijë edhe Ballkanin. Grenell ekipin do ta ketë me bazë në Shtëpinë e Bardhë”, na patën thanë nga ekipi tranzicional i Trump.