GAZETA PAPIRUS
  • Ballina
  • Lajme
  • Kosovë
  • Shqipëri
  • Ekonomi
  • Sport
  • Showbiz
  • Shendetesi
  • Kuriozitete
No Result
View All Result
  • Ballina
  • Lajme
  • Kosovë
  • Shqipëri
  • Ekonomi
  • Sport
  • Showbiz
  • Shendetesi
  • Kuriozitete
No Result
View All Result
GAZETA PAPIRUS
No Result
View All Result
Home Lajme

Gratë në veri të Kosovës dëshmojnë për ngacmime seksuale, Policia iu bën thirrje të bashkëpunojnë

14/05/2025
në Lajme
Koha e leximit:7 mins read
Gratë në veri të Kosovës dëshmojnë për ngacmime seksuale, Policia iu bën thirrje të bashkëpunojnë
Share on FacebookShare on Twitter

Raportimet e shpeshtuara për ngacmime seksuale ndaj grave në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë nxitur shqetësim të shtuar, ndërsa viktimat flasin për frikë, zemërim dhe mungesë të thellë besimi në institucionet që, sipas tyre, nuk reagojnë siç duhet, transmeton Gazeta Papirus.

Teksa Policia e Kosovës iu bën thirrje qytetarëve të raportojnë rastet, nga komuniteti lokal serb dëgjohen propozime për formimin e “rojeve të lagjes”, si një alternativë, për shkak të mungesës së besimit në Policinë e Kosovës. Gjithashtu, kërkohet reagimi i përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Policia ka njoftuar se më 13 maj, në Mitrovicën e Veriut, ka arrestuar një person të dyshuar për ngacmim të grave, ndaj të cilit është shqiptuar një gjobë dhe është vendosur ndalim prej 48 orësh për shkak të kërcënimeve.

Çfarë thonë viktimat?

“Është një përzierje emocionesh negative – ka frikë, ka zemërim”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) një bashkëbiseduese nga njëra prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, duke përshkruar një situatë të pakëndshme që thotë se e ka përjetuar para dy javësh.

Ajo tregon se disa burra të panjohur, nga një veturë, i kishin hedhur komente seksiste të papërshtatshme. Sipas rrëfimit të saj, ajo ishte ndjekur nga një furgon me disa burra që i flisnin në gjuhën shqipe dhe e ftonin të hipte në veturë.

“Vazhdoja rrugën dhe, kur u largova mjaftueshëm, më shkoi ndër mend se do të duhej t’i fotografoja targat. As që më shkoi mendja në atë moment”, thotë ajo për REL-in. Ajo pretendon se ka pasur përvoja të ngjashme edhe më parë – i janë drejtuar edhe në serbisht, por, sipas theksit dhe shqiptimit, ka kuptuar se nuk ishte gjuha e tyre amtare.

Identiteti i saj i plotë i është i njohur redaksisë së REL-it, por ajo ka pranuar të flasë vetëm në kushte anonimiteti, sepse nuk dëshiron të përjetojë shqetësime shtesë.

Për të njëjtën arsye, kjo 25-vjeçare nuk i ka raportuar rastet e ngacmimit në Policinë e Kosovës, sepse, siç thotë, nuk ka besim në këtë institucion.

Policia e Kosovës, e cila është multietnike, përballet vetë me sfida në pjesën e vendit të banuar kryesisht nga serbët – veçanërisht në dy vjetët e fundit, prej kur Qeveria e Kosovës po përpiqet të vendosë kontroll të plotë mbi sigurinë, dhe të eliminojë mbetjet e një pushteti paralel – midis institucioneve të Kosovës dhe atyre të financuara nga Serbia.

Këto rrethana kanë krijuar një ambient në të cilin shumë gra përjetojnë ngacmime.

Një tjetër bashkëbiseduese e REL-it, e cila, po ashtu, insiston në anonimitet, thotë se çdo ditë përjeton “një formë shqetësimi” përmes komenteve të papërshtatshme apo gjesteve fyese.

“Më ngacmojnë edhe në serbisht, edhe në shqip, më ngacmojnë me gjeste, më dërgojnë puthje, më bëjnë shenjë që të futem në veturë”, rrëfen ajo, duke shtuar se më shumë u frikësua kur, në një rast, iu bë një gjest që imitonte formën e një arme zjarri.

“Unë nuk mund të bëj asgjë, nuk mund t’i tregoj as babait, sepse nuk e di si do të reagojë”, shton ajo.

As ajo nuk e ka informuar Policinë e Kosovës për këtë.

Çfarë thotë Policia?

Policia e Kosovës pohon se të gjitha rastet e raportuara të ngacmimit seksual trajtohen seriozisht, por shton se në disa raste nuk është e mundur të vërtetohen pretendimet e viktimave.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, bën thirrje që ngacmimet të raportohen, duke theksuar se pa kallëzim nuk mund të merren masa.

“Kemi pasur një rast kur dy djem me motor ngacmuan vajza, por nuk kishim denoncim. E mësuam nga mediat dhe i ndaluam, nuk kishim prova për ngacmim, por ua konfiskuam motorin, sepse nuk kishin paguar doganën”, thotë Elshani për REL-in.

Ai konsideron se Policia vepron edhe në mënyrë parandaluese, edhe kur nuk mund të vërtetojë ngacmimin seksual, duke i marrë në pyetje të dyshuarit për disa orë.

“E bëjmë punën tonë, hap pas hapi. Nuk i fshehim rastet. E trajtojmë këtë çështje shumë seriozisht, por duhet të raportohen”, shton Elshani.

Ai jep si shembull rastin e 13 majit, kur pas një kallëzimi të qytetarëve, u arrestua në Mitrovicën e Veriut një person për të cilin dëshmitarët thanë se kishte ngacmuar gra në rrugë.

Atij iu shqiptua gjobë për prishje të rendit publik, ndërsa prokurori caktoi ndalim prej 48 orësh për shkak të veprës penale “kanosje”.

Në lidhje me komentet e qytetarëve për mungesë besimi në Policinë e Kosovës, Elshani përsërit se të gjitha rastet duhet të raportohen në institucionet përkatëse.

Çfarë thonë statistikat?

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, deri më 10 mars 2025 janë raportuar 15 raste të dhunimit në gjithë territorin – krahasuar me 71 raste në vitin 2024 dhe 94 raste në vitin 2023.

Gjithashtu, deri më 10 mars janë shënuar 6 raste të sulmeve seksuale, ndërsa vitin e kaluar ishin 71, dhe në vitin 2023 gjithsej 67.

Policia nuk ka sqaruar se në cilat komuna janë regjistruar këto raste.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, për këto vepra penale parashihet dënim me gjobë ose me burgim nga 1 deri në 10 vjet.

Aktivistet: Nevojitet zbatim i ligjit dhe bashkëpunim me komunitetin

Aktivistet për të drejtat e grave nga komunitetet shqiptare dhe serbe, Luljeta Demolli dhe Ruzhica Simiq, thonë për REL-in se ka mungesë të reagimit adekuat nga institucionet përkatëse, dhe se fenomeni në rritje i ngacmimeve seksuale në veri të Kosovës duhet të merret seriozisht.

Demolli, nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore në Prishtinë, thekson se shumë gra nuk dinë ku të kërkojnë ndihmë. Ajo pohon se një pjesë e tyre nuk raportojnë rastet për shkak të mungesës së besimit në institucione dhe stigmës shoqërore.

“Kushdo që bën një vepër të tillë duhet të ndëshkohet me dënim meritor. Po ashtu, duhet të shqyrtohen alternativa për të punuar më shumë me komunitetin që të denoncohen rastet në Polici”, tha Demolli.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, ngacmimi seksual nënkupton çdo sjellje të padëshiruar verbale, joverbale apo fizike, që ka për qëllim ose për efekt cenimin e dinjitetit të një personi, duke shkaktuar frikë ose duke krijuar një ambient armiqësor, poshtërues ose fyes. Dënimi për këtë vepër parashikon gjobë ose burgim deri në pesë vjet.

“Nuk njoh grua që nuk është ngacmuar një herë në jetë”

Simiq, nga organizata “E Drejta e Grave”, me seli në Mitrovicën e Veriut, thotë se, për shkak të mungesës së marrëveshjes midis institucioneve, është i domosdoshëm një dialog më i gjerë mes qytetarëve, shoqërisë civile, institucioneve dhe komunitetit ndërkombëtar për ta luftuar këtë fenomen.

“Dhuna verbale në shoqërinë tonë është thjesht realitet. Unë merrem prej kohësh me çështjen e dhunës ndaj grave, njoh raste të përdhunimeve, dhunës në familje, por në të vërtetë nuk kemi pasur [në veri të Kosovës] problem me ngacmimet seksuale në rrugë. Ky është një trend dhe fenomen i ri negativ, me të cilin jemi përballur vitin e kaluar”, thotë ajo.

Ajo thekson se komuniteti serb në veri nuk di si të “mbrohet”, sepse Policia nuk shfaq vullnet për ta luftuar këtë dukuri që “cenon dinjitetin e grave”.

“Kur shohin një grua apo vajzë të bukur, ndalen, i drejtohen në mënyrë agresive, bëjnë gjeste të turpshme. Është një formë degradimi. Dhe, kjo lë pasoja”, thotë Simiq.

“Ka raste edhe në jug”, shton ajo, “por në veri është më e ndjeshme, sepse viktimat janë gra të komunitetit serb”.

Thirrje për reagim nga EULEX-i

Për shkak të asaj që e quajtën mungesë reagimi adekuat nga institucionet e Kosovës, një grup organizatash joqeveritare serbe më 12 maj iu drejtua me një thirrje publike komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Ato kërkojnë të dinë nëse aktualisht po monitorohen dhe dokumentohen rastet e ngacmimit të grave dhe vajzave në veri të Kosovës, dhe cilët janë hapat konkretë që ndërmerren kur identifikohen dështime sistematike në punën e Policisë së Kosovës në mbrojtjen e qytetarëve nga komunitetet joshumicë.

“Frekuenca dhe vazhdimësia e rasteve të tilla tregojnë për një problem të thellë institucional – paaftësinë apo mungesën e vullnetit të Policisë së Kosovës për të ofruar mbrojtje për të gjithë qytetarët. Veçanërisht shqetësuese janë dëshmitë për tentime relativizimi të këtyre incidenteve dhe pretendimet për presion ndaj dëshmitarëve nga vetë pjesëtarët e Policisë”, thuhet në deklaratë, pa dhënë shembuj konkretë.

REL-i i është drejtuar EULEX-it me pyetje për këtë çështje, por, deri në publikimin e tekstit, nuk ka marrë përgjigje.

“Rojet e lagjes” si zgjidhje alternative?

Politikani lokal serb, Aleksandar Arsenijeviq, së voni propozoi që për shkak të rasteve të shumta të ngacmimeve ndaj grave, qytetarët të organizohen në “roje të lagjes”.

Sipas tij, këto grupe nuk duhet të zëvendësojnë Policinë, por të “monitorojnë, paralajmërojnë dhe raportojnë çdo tentim sulmi, ngacmimi apo sjelljeje të dyshimtë”.

Të hënën u mbajt një takim i tillë me qytetarë në Mitrovicën e Veriut, por ai ishte i mbyllur për publikun.

Në një deklaratë për REL-in, Arsenijeviq tha se disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës në veri “qëllimisht vonojnë” trajtimin e raportimeve për ngacmim, shpesh nuk shohin bazë për ndjekje penale dhe ka raste kur policët kanë qenë dëshmitarë të ngacmimeve, por nuk kanë reaguar.

“Nuk po them se të gjithë janë njësoj, por kjo – mosreagimi ndaj ngacmimeve – ka nisur të kthehet në një model sjelljeje, si një tolerim i përgjithshëm”, përfundoi ai.

Tags: bashkepunojnebenGratekosovesne Veringacmimepoliciaseksualethirrje
ShareTweetShare
Previous Post

Komandanti i KFOR-it mbledh ambasadorët e vendeve kontribuuese, flasin për situatën e sigurisë pas zgjedhjeve

Next Post

Zjarr në një shkollë teknike në Suharekë

Next Post
Zjarr në një shkollë teknike në Suharekë

Zjarr në një shkollë teknike në Suharekë

Lajmet e fundit

Gruda: Haxhiu është e papranueshme për kryetare – ka hedhur gaz lotsjellës

Gruda: Haxhiu është e papranueshme për kryetare – ka hedhur gaz lotsjellës

14/05/2025
PD fiton 2 mandate në Kukës, PS 1, ja deputetët

PD fiton 2 mandate në Kukës, PS 1, ja deputetët

14/05/2025
Varroset nëna e dëshmorit Agron Mehmetaj, Haradinaj: Ishte një grua fisnike shqiptare

Varroset nëna e dëshmorit Agron Mehmetaj, Haradinaj: Ishte një grua fisnike shqiptare

14/05/2025
Vdes nëna e dëshmorit, Enver Ferizi

Vdes veterani i UÇK-së, Behlul Karpuzi

14/05/2025
“Një vit mund të jetoj mes malit” – Tarzani i Kosovës rrëfen sfidat më të mëdha të jetës: Gacat i ha, m’u shkrihen si në ujë

“Një vit mund të jetoj mes malit” – Tarzani i Kosovës rrëfen sfidat më të mëdha të jetës: Gacat i ha, m’u shkrihen si në ujë

14/05/2025
Tjetër aksion në veri, Sveçla njofton se institucionet i kanë marrë dy objekte nga strukturat paralele

Tjetër aksion në veri, Sveçla njofton se institucionet i kanë marrë dy objekte nga strukturat paralele

14/05/2025
Per vetem 21 euro ne muaj! Per vetem 21 euro ne muaj! Per vetem 21 euro ne muaj!

Lajme në kohë reale dhe të sakta!

Email: info@gazetapapirus.com

Kontakti: +383 48 787 979

 

Kategoritë

  • Arsim
  • Ballina
  • Botë
  • Drejtësi
  • Ekonomi
  • Ekskluzive
  • Horoskopi
  • Kosovë
  • Kronika e zezë
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Lajme
  • Opinione
  • Rajoni
  • Shendetesi
  • Shëndetësi
  • Showbiz
  • Shqipëri
  • Siguri
  • Sport
  • Teknologji
Gruda: Haxhiu është e papranueshme për kryetare – ka hedhur gaz lotsjellës

Gruda: Haxhiu është e papranueshme për kryetare – ka hedhur gaz lotsjellës

14/05/2025
PD fiton 2 mandate në Kukës, PS 1, ja deputetët

PD fiton 2 mandate në Kukës, PS 1, ja deputetët

14/05/2025
Varroset nëna e dëshmorit Agron Mehmetaj, Haradinaj: Ishte një grua fisnike shqiptare

Varroset nëna e dëshmorit Agron Mehmetaj, Haradinaj: Ishte një grua fisnike shqiptare

14/05/2025
  • Per Ne
  • Termet dhe kushtet
  • Kontakt

© 2021 Gazeta Papirus - Portal i pavarur informativ!.

No Result
View All Result
  • Ballina
  • Lajme
  • Kosovë
  • Shqipëri
  • Ekonomi
  • Sport
  • Showbiz
  • Shendetesi
  • Kuriozitete

© 2021 Gazeta Papirus - Portal i pavarur informativ!.