Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka nisur ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar, që u përfshinë në grabitjen që ndodhi sot në afërsi të ‘Albi Mall’ në Veternik, ku cak ishte furgoni i kompanisë “Istambul Ozel Guvenlik”, që po transportonte para.
Një pjesëtar i sigurimit të kësaj kompanie, Fahri Ademi mbeti i plagosur, identitetin e të cilit Sinjali e publikoi ekskluzivisht pak më parë, ndërsa tashmë janë zbuluar edhe detaje të reja.
Pak minuta pas grabitjes, një person i plagosur në këmbë dhe në gjoks ka kërkuar ndihmë në qendrën emergjente në Graçanicë.
Bazuar në informacionet e para, i njëjti dyshohet se është njëri nga grabitësit.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Millosh Vukojeviq., i cili është nga Leposaviqi.
Njësitë policore tashmë ndodhen në vendin e ngjarjes dhe së shpejti do ta transferojnë për në Prishtinë.
Nga Policia e kanë konfirmuar rastin dhe kanë bërë me dije se janë duke i ndërmarrë masat e nevojshme.
“Sot rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para.
Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë, janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.”