Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në një rast të lëndimit të rëndë trupor, që ndodhi të dielën në Ferizaj.
Ngjarja ka ndodhur më 27 prill, rreth orës 15:10, në rrugën “Gjon Sereqi”, ku një 16-vjeçar, F.V., ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi është sulmuar me thikë, si pasojë e një mosmarrëveshjeje. Dyshohet se në sulm kanë qenë të përfshirë tre persona.
Pas ndihmës së parë në emergjencën e Ferizajt, viktima është transferuar për trajtim të specializuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Rasti është nën hetim të Prokurorisë së Shtetit.
Policia njoftoi se pas një pune hetimore intensive, ka identifikuar dhe arrestuar një nga të dyshuarit, M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë me qëndrim të përkohshëm në Ferizaj. Arrestimi është kryer më 28 prill, rreth orës 12:30, në rrugën “At Nikë Prela”.
Gjatë kontrollit trupor ndaj të dyshuarit, është gjetur një thikë që dyshohet se është përdorur në sulm dhe është sekuestruar si provë materiale.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 24 orë dhe ndaj tij po zhvillohen procedurat e mëtejshme ligjore.
Policia ka bërë të ditur se hetimet vazhdojnë dhe se do të informojë publikun për çdo zhvillim të ri lidhur me rastin./Gazeta Papirus/