Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një takim me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i Këshillit, ka thënë se Kosova nuk do të pranojë modele që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit dhe zbehjen e kompetencave ekzekutive brenda territorit të Kosovës.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët në dialogun Kosovë-Serbi.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj dialogut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë për qytetarët e të dyja shteteve, por assesi, në asnjë rrethanë nuk do të pranohen modele që rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës”, tha ndër të tjera Konjufca, bëhet e ditur në një komunikatë për media.
Duke falënderuar diplomatët për kontributin e vazhdueshëm të tyre dhe të shtetit amerikan në zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë Kosovës, Konjufca theksoi se takime të kësaj natyre janë mundësi e mirë për të qëndruar më afër njëri-tjetrit dhe për të trajtuar tema që janë me interes vital për rajonin.
Referuar ndihmës që Kosova ka përfituar ndër vite nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet demokratike evropiane, Konjufca u shpreh se Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar i fundshekullit 20-të, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.
Intervenimi ndërkombëtar dhe pavarësia e Kosovës, shtoi Konjufca, nuk ishin vetëm domosdoshmëri e nivelit nacional, por kusht esencial për paqe dhe siguri në rajon dhe Evropë.