Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deputetët Pal Lekaj dhe Time Kadrijaj, si dhe ish-deputetet Besa Baftiu, Aida Dërguti dhe Teuta Haxhiu, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për hedhje të gazit lotsjellës në objektin e Kuvendit në dhjetor të vitit 2015.
Pas deklarimit të të akuzuarve, gjyqtari i vetëm gjykues në këtë rast, Adnan Kamberi bëri të ditur se vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, me të cilën ngarkoheshin të akuzuarit ka arritur parashkrimin apsulut, absolut, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më pas, gjyqtari Kamberi i njoftoi të akuzuarit se brenda afatit prej 30 ditësh mund të bëjnë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 22 shkurt 2016, thuhet se Glauk Konjufca, Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Aida Dërguti kishin përdorur armën (gazin lotsjellës) në kundërshtim me ligjin, në atë mënyrë që më 14 dhjetor 2015 rreth orës 10:00 pas hapjes së mbledhjes plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Konjufca, Lekaj dhe Baftiu, ndërsa në ora 11:00 Dërguti, në sallën plenare të Kryesisë së Kuvendit, paraprakisht kishin aktivizuar armën për shpërndarjen e gazit irritues, ku për pasojë ishte liruar gazi lotsjellës, me këtë rast deputetët e pozitës kishin lëshuar sallat.