Gjyqytari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Naser Maliqi, ka liruar nga aktakuza Drejtoreshën e Inspeksionit në Gjilan, Entela Hysenin.
Gjykatësi, Maliqi përmes llogarisë së tij në Facebook kishte pëlqyer një video ku shihej Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kurti në video shihet me disa zyrtarë të tjerë të Vetëvendosjes në një restorant në Podujevë, shkruan Insajderi.

Ndaj Hysenit ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore si e dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Por, edhe pse kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, bëri të ditur se Drejtoresha e Inspeksionit u lirua nga aktakuza për keqpërdorim të detyrës – nuk u publikua vendimi i Gjykatës e cila iu ka lënë afat vetëm dy ditë kohë palës së dëmtuar për ankesë rreth rastit në fjal
Vendimi është marrë nga Gjykata para afateve ligjore për përgjigjje në ankesë, vetëm dy ditë pasi kishte pranuar ankesën pala e dëmtua
Edhe pse vendimi i Themelores nuk është i plotëfuqishëm, meqë ekzistojnë dy shkallë tjera të ankimimit, nënkryetarja e Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, me ironi shkroi në Facebook se “Drejtësia fitoi! Urime Entela”.

Dyshohet se Hyseni nuk e kishte rrënuar murin ilegal për shkak të ndikimit të nënkryetares së Gjilanit, Leunora Bunjakut e cila është motra e motra e Agron Morinës, investitorit të “Elita SHPK” të përfshirë në rastin në fjalë.
Për çka po akuzohej Entela Hyseni?
Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore të cilën e kishte siguruar Insajderi, thuhet se Entela Hyseni, në cilësinë e Drejtoreshës së Inspeksionit në Komunën e Gjilanit, ka dështuar të zbatojë një aktvendim të Inspektoratit të Ndërtimit, i cili urdhëronte rrënimin e një ndërtese pa leje në lagjen “Fidanishtë” nr.1.
Sipas dosjes, vendimi ishte lëshuar më 1 korrik 2024, por Hyseni ka dështuar që nga ajo ditë të ndërmarrë veprimet e kërkuara për ekzekutimin e këtij aktvendimi.
Në aktakuzë, përmendet se “nga data 02.07.2024 e në vazhdim, e pandehura, Entela Hyseni, në cilësinë e Drejtoreshës së Inspeksionit, me dashje, nuk i ka përmbushur detyrat e saj zyrtare”.
Ky veprim i dyshuar është cilësuar si një “moszbatim të aktvendimit të lëshuar nga Inspektorati i Ndërtimit”, duke lejuar që ndërtesa të vazhdojë të qëndrojë e paligjshme dhe të mbetet në përdorim, pavarësisht kërkesave të përsëritura për rrënim.
Një nga elementet kryesore të aktakuzës është se Hyseni, në vend që të zbatojë ligjin dhe të realizojë detyrat e saj zyrtare, ka “shpërdoruar pozitën e saj zyrtare për të favorizuar një palë të tretë”.
Sipas dosjes, ky favorizim ka ndodhur në dëm të të dëmtuarit, afaristit Valon Saliu, i cili kishte kërkuar vazhdimisht ekzekutimin e aktvendimit për rrënimin e ndërtimit pa leje.
Një tjetër detaj i rëndësishëm që theksohet në aktakuzë është se Hyseni ka lejuar vazhdimin e ndërtimit ilegal, edhe pasi Inspektorati i Ndërtimit kishte nxjerrë aktvendimin që urdhëronte “fillimin e menjëhershëm të rrënimit të ndërtesës”.
Përkundër këtij urdhri, Hyseni nuk ka ndërmarrë asnjë hap për zbatimin e tij, duke bërë që ndërtesa të mbetej e paligjshme dhe të favorizohej nga veprimet e saj pasive.
Prokuroria ka kërkuar që pas shqyrtimit të të gjitha provave dhe dëshmive, gjykata të shpallë fajtore të pandehurën dhe të shqiptojë një “dënim meritor sipas dispozitave ligjore në fuqi”.
Po ashtu, Prokuroria kërkonte që të merren parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese në përcaktimin e dënimit.
Tutje përmendet se “e pandehura, në pajtim me nenin 36 par.3 dhe nenin 3.2 të Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, obligohet të paguajë taksën prej 50 euro”.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan është rezultat i një kallëzimi penal të parashtruar nga i dëmtuari Valon Saliu, i cili ka kërkuar drejtësi për moszbatimin e vendimeve ligjore.
Prokuroria ka potencuar se, pas shqyrtimit të kallëzimit dhe provave të bashkëngjitura, ka dyshime të bazuara që e pandehura ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe ka vepruar në mënyrë selektive dhe të qëllimshme për të shmangur zbatimin e ligjit.
Prokuroria gjithashtu shton se aktakuza është ngritur në përputhje me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenet 3.2 dhe 3.6, duke u mbështetur në provat materiale dhe dëshmitë që tregojnë se Hyseni ka vepruar në kundërshtim me detyrat e saj zyrtare dhe ka favorizuar palë të caktuara në dëm të qytetarëve dhe ligjit.
Insajderi për këtë çështje ka tentuar të marrë një përgjigje nga nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina-Bunjaku dhe drejtoresha e Inspeksionit, Entela Hyseni, por të njëjtat nuk kanë qenë të qasshme.
Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se nuk merret me çështje të vogla.