Besar Nimani boksier nga Kosova u vra më 9 mars të vitit 2024. Për vrasjen e tij ishte raportuar se ishin shkrepur tetë plumba. Sot, (26 shkurt 2025) mediat gjermane raportuan se jashtë gjykatës, ku po pritej të mbahej seanca ndaj të dyshuarit për vrasjen e Nimanit u dëgjuan të shtëna, ku mbetën (deri tash dihet) tre të plagosur, ndër ta vëllai dhe babai i të dyshuarit që vrau Besarin një vit më parë.
Çka raportuan sot mediat gjermane?
Të shtëna me armë zjarri janë raportuar jashtë objektit të Gjykatës në Gjermani, ku ka filluar gjykimi për vrasjen e boksierit nga Kosova, Besar Nimani. Deri tash po raportohet për tre të plagosur.
Sipas Bild, është qëlluar vëllai i të pandehurit.
Para Gjykatës ka dalur Huseyin Akkurt, që është i akuzuar për vrasjen e kosovarit që jetonte në Gjermani.
“Dikush po qëllon jashtë”, u dëgjuan disa dëshmitarë.
Vëllai i të akuzuarit dyshohet se u qëllua në këmbë.
Gazeta gjermane BILD ka më pas ka zbuluar detaje për të shtënat me armë zjarri jashtë Gjykatës, ku u mbajt gjykimi për vrasjen e Besar Nimanit.
BILD raporton se i plagosur është edhe babai i të akuzuarit që dyshohet se e vrau Besar Nimanin.
Sipas BILD, i njëjti është në gjendje të rëndë.
Çka kishte thënë vëllau i Besar Nimanit për vrasjen?
Vëllai i tij, Berati kishte shpjeguar se si ka ndodhur rasti duke treguar se tre persona i kanë dalë në pritë, ndërsa dy prej tyre e kanë qëlluar.
“Kur ka ndodh rasti Besari i ka sjell fëmijët dhe bashkëshorten te unë, pastaj ka dal në qytet për të shku në përvjetorin e vdekjes së një shokut të tij, gjatë rrugës ka shku me marr një shok tjetër në lokal ndërsa tre persona e kanë pritur në rrugë dy nga të cilët e kanë qëlluar Besarin”.
Ai ka shtuar se me njërin prej tyre Besari kishte pasur problem edhe para disa viteve.
“Para tre viteve njëri nga të dyshuarit kishte hyrë në lokalin e Besarit, dhe kanë pasur një debat aty, Besari e ka qitur jashtë lokalit”, shtoi ai.
Aktakuza e Prokurorisë së këtij vendi, thotë se dy burra dyshohet se vendosën nën një kurth viktimën Besar Namani më 9 mars 2024 dhe sipas një plani qëlluan me 16 plumba viktimën para një dyqani në zonën pedonale të Bielefeld. 38-vjeçari kishte parkuar makinën afër dhe ishte nisur në këmbë drejt vendit të ngjarjes, ku ai ka vdekur nga plagët e marra. Shkaku i krimit është ende i paqartë.
Vëllai i Besarit kishte njoftuar për fillimin e gjykimit
Vëllau i Besarit me 31 janar kishte njoftuar për fillimin e gjykimit të Hüsyen Akkurt, duke thënë se shpreson se ai do të marë dënim maksimal.
“Për ne si Familje do te jetë një Kohë e vështirë ne punimin e juridik (Pjesrisht)te kësaj ngjarej tragjike. Si do qoftë edhe kësaj pune do ti dalim ne krye me nder dhe krenari.” – thuhej ndër të tjera në postimin e tij.
Ndryshe, Nimani në karrierën e tij si boksier ka garuar në kategorinë supervelter. Ka pasur 27 meçe, nga të cilat 26 fitore dhe një humbje. Nuk ka qenë aktiv që nga viti 2019.