Në rastin ku Liridon Avdyli po akuzohet për përleshjen fizike që kishte ndodhur në lokalin “Maroon Pub” në Prishtinë, në vitin 2018, eksperti mjeko-ligjor Dr.Musa Gashi, në seancën e së martës ka thënë se lëndimet trupore tek i dëmtuari Kushtrim Sahitii, janë me pasoja të përhershme shëndetësore.
Këtë deklarim, eksperti mjeko-ligjor Gashi e ka bërë duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Nebahate Salihu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I njëjti tha se plotësimin e akt-ekspertizës mjeko-ligjore e kishte bërë në bazë të dokumenteve të çështjes dhe pas shqyrtimit të raporteve plotësuese mjekësore në shkresat e lëndës, bazuar në urdhëresën e prokurorisë për dhënie të mendimit plotësues për të dëmtuarin Kushtrim Sahiti.
Ndryshe, prokurorja Salihu më 8 nëntor të këtij viti ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës, si dhe ka bërë rikualifikimin e veprës penale, pas marrjes së mendimit të ekspertit mjeko-ligjor Gashi.
Andaj, me rikualifikim të veprës penale, Avdyli tani po akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, nga neni 189, par.2, pika 2.5 të Kodit Penal.
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Flakron Sylejmani, eksperti Gashi deklaroi se nuk përjashtohet mundësia e paraqitjes së nevojës për ndërhyrje rikonstruive të pasojave nga këto dëmtime, e që sipas tij ndërlidhen me drenimin e sinuseve, me frymëmarrje dhe shikimin.
Tutje, eksperti Gashi është pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Avdyli, avokati Granit Hadërgjonaj edhe në lidhje me mundësinë që çrregullimi i shikimit të të dëmtuarit të jetë para-ekzistues.
Në lidhje me këtë, Gashi tha se nuk ka dokumentacion mjekësor që jep informacione për gjendjen shëndetësore të të dëmtuarit Sahiti para kësaj ngjarje.
“Por, në bazë të dëmtimeve të konstatuara në datën që ka ndodhur kjo ngjarje dhe më pas në vazhdimësi, rezulton se kemi dëmtime të konstatuara në regjionin e syve që ndërlidhen me thyerje multi-fragmentare dhe depresive dhe si të tilla kanë lidhje kauzale me ngjarjen”, ka shtuar tutje eksperti Gashi.
Në fund, i njëjti deklaroi se mbetet pranë plotësimit të ekspertizës së 25 tetorit 2022, duke shtuar që dokumentacioni mjekësor ka qenë mëse i mjaftueshëm.
Ndryshe, paraprakisht në fillim të seancës është dhënë fjala hyrëse, ku prokurorja Salihu tha se do të vërtetohet se i akuzuari Avdyli ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet në bazë të aktakuzës së ndryshuar më 8 nëntor 2022.
Fjalën hyrëse të prokurores Salihu e ka mbështetur përfaqësuesi i të dëmtuarit, avokati Sylejmani.
“I propozojmë gjykatës të marrë aktgjykim meritor adekuat me peshën e veprës penale”, shtoi ai.
I njëjti, është përkrahur edhe nga i dëmtuari Sahiti, i cili tha se kërkon edhe kompensim dëmi.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Avdyli, avokati Hadërgjonaj në fjalën hyrëse tha se qëndron në tërësi pranë deklaratave të dhëna në seancat e mëparshme.
Ai tha se i mbrojturi i tij deklarohet se e pranon përgjegjësinë penale dhe për të disatën herë duke kërkuar falje, si dhe duke ndjerë keqardhje për palën e dëmtuar.
“I njëjti deklaron se incidenti i ndodhur në ditën kritike nuk ka qenë as i paramenduar dhe as i menduar dhe po ashtu nuk ka pasur për qëllim shkaktimin e një pasoje të tillë. I mbrojturi im deklarohet me pranim fajësie, duke qenë i bindur në rrethana lehtësuese që ka paraparë Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale”, ka thënë tutje avokati Hadërgjonaj.
Fjalën hyrëse të avokatit të tij e ka përkrahur i akuzuari Avdyli.
“Sot e 100 vjet i kërkoj falje, s’e di as vetë si ka ndodh”, ka shtuar i njëjti.
Tutje, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar i dëmtuari Sahiti, i cili deklaroi se mbetet pranë deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori.
Ndërkaq, në fund të seancës është proceduar me administrimin e provave materiale, e që për shkak se avokatit Hadërgjonaj nuk i është dorëzuar dokumentacioni mjekësor, të cilat përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Sylejmani i ka propozuar si prova, gjykatësja Sulltane Hoti konstatoi se nuk mund të vazhdohet me këtë çështje penale.