Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për Abc News, ka folur për fillimin e gjyqit ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Rama theksoi se ai e ka dhënë komentin e tij për këtë çështje më parë, duke përsëritur se ka diçka shumë të madhe që nuk shkon në këtë proces.
Ai gjithashtu tha se kjo situatë e bën të mendojë se pas pak vitesh edhe presidenti i Ukrainës do të jetë në këtë situatë edhe pse rolet nuk janë krejtësisht të njëjta.
Kryeministri Rama ka shprehur shqetësimin e tij se edhe kjo situatë mund të ndodhë në të ardhmen edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Komenti im është i njohur. Nuk besoj se ka diçka të re për të thënë, por sigurisht që sa herë krijohet mundësia për ta përsëritur duhet përsëritur që ka diçka shumë të madhe që nuk shkon me këtë proces dhe pa dashur fare të paragjykoj aspektin që ka të bëjë me drejtësinë dhe me pavarësinë e një gjykate, e cila është formuar me votën e Parlamentit të Kosovës, thjeshtë mbetem i mahnitur nga sensi më negativ, nga fakti që udhëheqësit dhe komandanti i një lëvizje çlirimtare popullore, jo i një ushtrie të organizuar, por i një rebeli ndaj një regjimi brutal që synoi të spastronte etnikisht shqiptarët në Kosovë akuzohet, akuzohen së bashku si kriminelë.” – ka thënë Edi Rama.
“Presidenti Zelenski është komandanti i një ushtrie të rregullt, Hashim Thaçi ishte komandanti i një lëvizjeje çlirimtare, e cila mori emrin Ushtri Çlirimtare, por e cila ishte larg së pasuri një zinxhir komandimi të atillë që mund të ngrihen akuza të kësaj natyre. Dhe kur kam parë sesi rusët filluan të flasin për trafik organesh në Donbass dhe sesi filluan të hidhen tezat e para të krimeve të luftës edhe nga ana ushtrisë ukrainase, kam thënë Zoti na ruajttë se mund ta shikojmë edhe këtë hero që sot të gjithë e admirojnë, para një gjykate.” – ka pohuar kryeministri shqiptar.