Argzon Muçaj, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, bëri të ditur se rreth 2 mijë padi janë dorëzuar brenda një dite në këtë Gjykatë, për shkak se Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e zbatoi aktgjykimin e Gjykatës Kushttuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Gjyqtari Muçaj tha në “Tempus” se gjyqësori viteve të fundit është përballur me një numër jashtëzakonisht të madh të lëndëve që derivojnë nga kontratat kolektive apo udhëzimet administrative, e që kryesisht kanë të bëjnë me konteste të punës.
Sipas tij, këto konteste, Gjykata i trajton me prioritet sipas një strategjie të nxjerrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për faktin se kontestet e punës janë kategori kushtetuese dhe hyjnë në të drejtat themelore.
Ai tha se përkundër faktit se gjyqësori është përballur me një numër jashtëzakonisht të madh të lëndëve, pas mobilizimit tek KGJK-ja, gjykatat dhe gjyqtarët më 2014 është kryer një numër i madh i lëndëve civile.
“Synimet kanë qenë që viti 2024 të arrihet të përmbyllen në tërësi të gjitha ato lëndë që dervojnë sikurse nga kontratat kolektive, po ashtu edhe udhëzimet administrative. Këshilli Gjyqësor, po ashtu edhe gjykatat janë kujdesur dhe kanë tentuar të ruajnë njëfarë balanci në mes të ekonomizimit dhe efikasitetit të procedurës, ku të gjitha këto lëndë janë trajtuar jashtë seancës, ndërsa në anën tjetër është kujdesur që të respektohen të drejtat themelore të punëtorëve”, tha gjykatësi.
Mirëpo, thotë se të gjitha këto lëndë kanë një kosto shumë të madhe, ngase përveç që ndikojnë në shpenzimin e madh të kohës, të njëjtat kanë edhe kosto financiare që drejtpërdrejt afektojnë edhe buxhetin e Kosovës.
“Në këtë rast, do të thotë se nuk janë lëndë komplekse për gjyqësorin, realisht nuk do duhej të ishin fare lëndë. Për arsye se në të gjitha këto raste të paditur janë institucione publike, pavarësisht se a mund të jenë komuna apo insitucione qendrore, agjenci qeveritare apo edhe ministria, tash së fundmi Kuvendi i Kosovës”, thekson gjyqtari Muçaj.
Për ato raste, Muçaj tha se ka vendimmarrje deri në Gjykatën Supreme, përjashtimisht këtyre që derivojnë nga 0.5%.
“Dhe në qoftë se e analizojmë dhe e shohim se nëse një vendim i kalon të gjitha instancat gjyqësore, konfirmohet nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, është shumë e pakuptimtë se si ato prap vazhdojnë të vinë në gjykatë, prap kanë vazhduar të vinë në gjykatë dhe të krijojnë shpenzime që në tërësi janë të pakuptimta dhe të panevojshme”, shtoi gjyqtari.
Kjo pasi, sipas tij, pothuajse derivojnë nga e njëjta bazë juridike dhe janë të konfirmuara edhe nga Gjykata Supreme. Tha se angazhimi ka qenë maksimal në trajtimin e këtyre lëndëve, pa i lënë anash edhe lëndët tjera. Megjithatë, kjo situatë, sipas tij, e ka cenuar efikasitetin në trajtimin e lëndëve të tjera.
Ndërkaq, tha se së fundi, kanë filluar që të dorëzohen edhe paditë që derivojnë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Së fundmi, ne si Gjykatë Themelore në Prishtinë, vetëm kanë filluar të dorëzohen këto paditë që derivojnë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Brenda një dite janë pranu rreth dy mijë padi. Mund ta imagjinoni, nëse brenda një dite janë pranu dy mijë padi, sa apo si do të jetë fluksi në të ardhmen”, thekson gjyqtari Muçaj.
Sipas tij, kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë në efikasitetin e trajtimit të lëndëve tjera, sepse përveç që kërkon angazhim maksimal të gjyqtarit, kërkon edhe angazhim të stafit administrativ.
“…edhe në këtë rast është një goditje e jashtëzakonshme për gjyqësorin, që në rrethana normale, në një vend, nuk do duhej të kishte ndodhur kjo, sepse janë pothuajse të gjithë zyrtarët publikë, apo nëpunësit publikë, që në këtë rast, nëse të gjithë paraqesin padi, numri i tyre mund të jetë mbi 80 mijë”, shton tutje ai.
Andaj, Muçaj thotë se në vend që sot të diskutohej për cilësinë e vendimmarrjes, diskutohet për një çështje e cila do të jetë e papërballueshme për sistemin gjyqësor.
“Në qoftë se ne pranojmë brenda një kohe shumë të shkurtër 80 mijë lëndë, atëherë edhe epilogu i tyre domosdoshmërisht do të ndikojë në efikasitetin e vet sistemit”, u shpreh gjykatësi.
Në anën tjetër, hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, thekson se si IKD vazhdimisht i kanë bërë thirrje dhe kanë avokuar te Kuvendi për t’iu përmbajtur procedurave drejt realizimit të këtij obligimi kushtetues, e që sipas tij, fatkeqësisht nuk ka pasur reflektim.
Ai thekson se përgjegjësia ekskluzive për këtë mosveprim bie mbi Qeverinë e Republikës së Kosovës tani në detyrë, e cila sipas tij ka pasur edhe shumicën parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Tash është e vërtetë që juridikisht Kuvendi shihet si institucion dhe i cili në këto situata paditet për shkak të mosveprimit të saj. Mirëpo, kur e dimë tash se si funksionon Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe përgjatë asaj kohe kush e ka pasur shumicën parlamentare brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës, i bie që përgjegjësia ekskluzive për këtë mosveprim, bie mbi Qeverinë e Republikës së Kosovës tani në detyrë, e cila ka pasur edhe shumicën parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thotë Shala.
Përndryshe, më 20 mars 2025, IKD kishte organizuar takim diskutues me përfaqësues të partive politike të zgjedhur në Legjislaturën e IX-të, me përfaqësues të sindikatave të sektorit publik dhe me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Në këtë takim ishte diskutuar për moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe është publikuar raporti me titull: “Mosveprimi i Kuvendit shkel të drejtat e 90,696 zyrtarëve publikë dhe rrezikon buxhetin shtetëror”.
Në raport thuhet se nëse Kuvendi nuk vepron dhe zyrtarët publikë detyrohen t’i drejtohen gjykatës, potenciali në këtë rast është se gjykatat do të vërshohen me rreth 90 mijë lëndë të reja, të cilat do të duhet t’i trajtojnë një për një.
“Kjo situatë do të rëndonte tejmase gjyqësorin me lëndë. Përpos gjyqësorit, kjo situatë do të dëmtonte edhe buxhetin e Republikës së Kosovës, për shkak të obligimit të pagesës së shpenzimeve procedurale. Në bazë të një kalkulimi të përgjithshëm, nga buxheti i Kosovës do të shpenzohen 35,770,502 euro për shpenzime procedurale, pa përfshirë kamatën ligjore dhe shpenzimet e mundshme përmbarimore”, ishte theksuar nga IKD.