Gjykata Themelore në Gjakovë, në rigjykim, e ka hudhur poshtë si të pasafatshme kërkesëpadinë për shpifje në rastin ku ish-përfaqësuesi i Komunës së Gjakovës, ish-noteri dhe tani avokati, Shaqir Vula, kishte ushtruar ndaj ish-kryetarit të Gjakovës, Pal Lekaj dhe Komunës së Gjakovës, ku kishte kërkuar kompensim në vlerë prej 1 milion euro.
Sipas aktvendimit të marrë nga gjykatësi Besnik Bislimaj, thuhet se gjykata duke i respektuar udhëzimet e Gjykatës së Apelit lidhur me afatshmërinë e parashtrimit të padisë, ka ardhur në përfundim se padia e Vulës është ushtruar pas afatit ligjor të paraparë me Ligjin Civil kundër shpifjes dhe fyerjes, raporton “Betimi për Dejtësi”.
“Në rastin konkret rezulton në shkresa të lëndës se paditësi padinë për kompensim për shpifje dhe fyerje e ka ushtruar më 17.08.2009, me pretendimin se shpifja dhe fyerja është kryer më datë 15.01.2009. Në rastin konkret kanë kaluar më tepër se 7 muaj nga dita kur paditësi pretendon se i është shkaktuar dëmi dhe dita kur ka hyrë në dijeni për personin që ka bërë shpifje, ashtu që ka kaluar afati subjektiv prej 3 muajve për të parashtruar kërkesë për kompensim”, thuhet ndër të tjera në arsyetim të gjykatës.
Ndryshe, Gjykata në Gjakovë në vitin 2016, kishte marrë aktgjykim me anë të së cilit e kishte refuzuar në tërësi si të pabazuar padinë, mirëpo Gjykata e Apelit në shkurt të këtij viti e ka kthyer këtë rast në rigjykim dhe vendosje.
Në aktvendimin e Apelit që e kishte kthyer në rigjykim këtë rast thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe se në këtë rast, gjykata fillimisht është dashur të lëshohet në lejueshmërinë e kërkesëpadisë para se të vendos në mënyrë meritore për këtë rast.Të ngjajshme
Në padinë që është ushtruar në vitin 2009, thuhet se përmes emisionit “Jeta në Kosovë – Debatet Komunale” i transmetuar në RTK, kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, i ftuar si mysafir i emisionit ishte pyetur se “përse nuk i është vazhduar kontrata e punës Avokatit Publik të Komunës – Shaqir Vula?”.
“Shaqir Vula, si avokat i Komunës i ka humbur të gjitha rastet nëpër gjykata dhe se ai ka dështuar në punën e tij si Avokat Publik në mbrojtjen e interesave të komunës dhe se puna e tij është vlerësuar negativisht edhe në sesionet e mëparshme të Kuvendit, prandaj në vendin e tij të punës është shpallur konkurs”, thuhet të jetë përgjigjur Pal Lekaj.
Tutje, në padi thuhet se ky deklarim i Lekajt në mediumin kombëtar RTK, Vulës i ka shkaktuar dëm i madh material dhe moral dhe se deklarimi i Lekajt ishte i pasaktë dhe i paargumentuar.
Përmes kësaj padie, Vula kishte kërkuar nga Gjykata e atëhershme Komunale në Gjakovë, që të detyrohet Pal Lekaj që ta ndalë shpifjen, që shpifjet e tilla të mos përsëriten dhe të bëjë tërheqjen e këtij informacioni shpifës.
Vula përmes padisë kishte kërkuar nga Lekaj dhe Komuna e Gjakovës si përgjegjëse në kuptimin objektiv, që solidarisht t’i kompensojë paditësit dëmin material dhe moral të shkaktuar nga shpifja, në shumë prej 1 milion euro si dhe shpenzimet procedurale.