Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Dardan Krivaqa.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja e çështjes Hakile Ilazi, i akuzuari Krivaqa u dënua me 8 muaj burgim për veprën penale “Detyrimi” nga neni 267, paragrafi 1 të Kodit Penal.
I akuzuari po ashtu është obliguar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 20 euro, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Sipas aktakuzës, më 14 nëntor 2012, rreth orës 16:20, në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, me forcë dhe me kërcënim serioz e kishte detyruar të dëmtuarin Besnik Qorolli që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.
Aktakuza thotë se përmes kërcënimit se “kam me të mbyt ty, nënën dhe babain nëse nuk më jep para”, kishte shkaktuar shqetësim dhe ankth te i dëmtuari dhe i njejti ishte detyruar që të veprojë kundër pasurisë së tij dhe të pandehurit t’i japë këpucët, dy Play Station dhe gjëra tjera të ndryshme materiale.