Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka dorëzuar listën e 12 dëshmitarëve të tjerë që do të thirren në çështjen gjyqësore ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur shefja për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep përmes informimit javor për media në platformën “zoom”.
“Më 28 qershor Prokuroria dorëzoi listën e 12 dëshmitarëve të tjerë që do të thirren në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë”, tha Griep raporton Ekonomia Online.
Ajo tutje sqaroi se lista përmban edhe dëshmitarë rezervë.
Duke sqaruar se prokuroria ka zvogëluar kohën e parashikuar që duhet për të marr në pyetje tetë prej këtyre dëshmitarëve.
“Emrat e dëshmitarëve janë dorëzuar si pjesë e një shtojce konfidenciale”.
Ndërsa, potencoi se seancat gjyqësore ndaj ish krerëve të UÇK-së do të fillojnë javën e ardhshme nga 9 korriku.
Tutje ajo informoi edhe për çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës, ku gjatë kësaj jave ishin intervistuar dy ekspertë mjeko-ligjor.
“Dy ekspertë mjeko-ligjor dhanë dëshminë pa masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë publike. Ata ishin dëshmitari i nëntë dhe i dhjetë të thirrur nga Prokuroria për këtë çështje gjyqësore. Dëshmitarëve iu drejtoi pyetje Prokuroria, mbrojtja, mbrojtësi i viktimave dhe gjykatësit”, tha ajo.
Për seancat në çështjen Shala ajo bëri të ditur se priten të rifillojnë më 21 gusht 2023 në orën 09:30.
Po ashtu, Griep informoi se pas dëshmisë së dëshmitarit të fundit prokuroria pritet të përfundoj paraqitjen e provave të veta.
“Më pas, në varësi të rezultatit të ndonjë mocioni prej mbrojtjes për rrëzimin e akuzave, 21 gushti është data në të cilën synohet fillimi i paraqitjes së provave nga mbrojtësi i viktimave nëse dëshiron”.
E njëjta u shpreh se trupi gjykues caktoi 18 shtatorin si datë në të cilën synohet të fillojë paraqitja e provave nga mbrojtja.