Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka njoftuar se Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj zyrtarit policor për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar“, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare“, si dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.
Përmes një komunikate për media, shtohet se, i pandehuri A.R, polic i Njësisë për Reagim të Shpejtë, ka dëmtuar kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në objektin, ku është kryer kontrollimi dhe është gjetur laboratori për prodhim të narkotikëve, shkruan lajmi.net.
Komunikata e plotë:
Një muaj paraburgim zyrtarit policor që keqpërdori detyrën zyrtare
Mitrovicë, 27 maj 2022 – Gjykata Themelore në Mitrovicë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe të pandehurit A.R., i ka caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar“, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare“, si dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.
I pandehuri A.R., polic i Njësisë për Reagim të Shpejtë, ka dëmtuar kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në objektin biznesor në fshatin Izvor – komuna e Zveçanit me pronar i dyshuari S.N., ku është kryer kontrollimi dhe është gjetur laboratori për prodhimin e substancave narkotike si dhe janë gjetur 10 mijë bimë narkotike të llojit marihuanë.