Faruk Mujka, ish zyrtar i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, është arrestuar nën dyshimin për korrupsion sa ishte nënkryetar i komunës së Mitrovicës, Komunë kjo që udhëhiqej nga Agim Bahtiri i LVV-së. Prokuroria Speciale ka kërkuar 30 ditë paraburgim për Mujkën e Muzliukajn por këtë kërkesë e ka refuzuar Gjykata Themelore në Prishtinë.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar se të dy do të mbrohen në liri.
“Gjykata Themelore Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën për caktimin e masës së sigurisë në çështjen penale për të pandehurit F.M dhe H.M
Prishtinë, 15 korrik 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve F.M dhe H.M për shkak të veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, sanksionuar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve F.M dhe H.M e ka refuzuar dhe të njëjtit lihen në mbrojtje në liri.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.”