Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktgjykim lidhur me rastin ku akuzohet stomatologu Xhavit Muqiqi, duke e lënë sërish fajtor për ngjarjen e rëndë të abuzimit seksual të pacientes 15-vjeçare gjatë kohës sa po shërbente si stomatolog në ordinancën e tij. Xhavit Muqiqi për herë të tretë ishte gjetur fajtor në vitin 2023 nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ishte dënuar me një 1 vit burgim.
Sinjali ka siguruar aktgjykimin e Apelit për këtë rast ku thuhet se Gjykata e gjykon të akuzuarin me një vit burgim, por dënimi i shqiptuar nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën kohore prej dy viteve.
Ndërsa, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 27 shkurt 2023, është ndryshuar sa i përket cilësimit juridik të veprës penale, ashtu që kjo gjykatë, veprimet e të akuzuarit i cilëson si vepër penale sulmi seksual.
Për këtë rast të tmerrshëm ku ishte përfshirë Xhavit Muqiti, avokati i palës së dëmtuar, Besnik Berisha, kishte kërkuar që të ndryshohej aktgjykimi dhe të ashpërsohej lartësia e sanksionit penal me burgim të shqiptuar kundër Muqiqit.
Ky rast ishte hetuar qe 13 vite dhe viktima kërkonte drejtësi dhe dënim të merituar për Xhavit Muqiqin.
Stomatologu kishte abuzuar seksualisht me të miturën pasi kjo e fundit kishte shkuar të marrë tretman mjekësor, në mesditën e 21 janarit të vitit 2012, në ordinancën e tij.
Muqiqi akuzohet se pasi ia kishte dhënë anestezionin të miturës kishte filluar ta përkëdhelë, ta puthë dhe e kishte urdhëruar të ulet në prehrin e tij.
“Xhavit Muqiq në cilësinë e mjekut – stomatolog ia kishte dhënë anestezionin, i njëjti kishte filluar me pyetje jo të zakonshme si janë : “Çka, është më e rëndësishme për jetën e saj dhe çka do të thotë fjala intuitë dhe njëkohësisht kishte filluar ta ledhatonte në pjesën e qafës, e kishte puthur të njëjtën në gojë, ku e dëmtuara ka filluar të largohet nga i pandehuri por i njëjti i kishte thënë “se është i besueshëm dhe për çdo problem do t’i ndihmoj edhe për anën financiare”, pastaj i njëjti është ngritur në këmbë duke e ulur të dëmtuarën dy herë në prehrin e tij”, thuhet në aktakuzë.
E mitura kishte tentuar të largohej nga doktori, mirëpo ai pa pëlqimin e saj kishte filluar ta përqafojë duke e shtrënguar.
“…pas përpjekjeve largohet nga i pandehurit dhe nga i njëjti ka kërkuar ta dijë se a ka përfunduar intervenimin e dhëmbit ku në dalje nga ordinanca përsëri i njëjti pa pëlqimin e saj ka filluar ta përqafonte duke e shtrënguar për kraharori me ç’rast tek e dëmtuara e mitur ka shkaktuar shqetësim”.