Pasditen e sotme është raportuar për gjuajtje me armë zjarri në Zllatar të Prishtinës. Si pasojë e përleshjes fizike dhe gjuajtjes me armë zjarri, një person dyshohet se është vetëplagosur kurse një tjetër ka mbetur i lënduar nga përleshja.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 18:00, kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në lagjen Zllatarë, në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë lënduar dy persona. Njëri nga personat dyshohet se është lënduar gjatë përleshjes fizike, ndërsa tjetri dyshohet se me armë zjarri është vetëplagosur, raporton Gazeta Sinjali.
Të dy personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor.
Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.