Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka vënë në krahasim një deklaratë të trajnerit të Kroacisë në Futboll, Zlatko Daliq, me atë të ministrit të Financave të Kosovës, Hekuran Murati.
Daliq, mbrëmë pas fitores kundër Brazilit në Kampionatin Botëror në Futboll, triumfin historik ua kushtoi “çlirimtarëve” kroatë, apo luftëtarëve që kontribuuan në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kroacisë.
“Shijojeni çlirimtarë kroatë. Kjo ishte për ju”, citohet të ketë thënë Daliq.
E këtë deklaratë të trajnerit, Gjoshi e ka vënë në peshore me atë të ministrit të Financave në vend, Hekuran Murati, kur thoshte se Kosovës do t’i konvenonte më shumë ekonomikisht po t’i paguante disa mercenarë, se sa tani që veteranëve të luftës, duhet t’u jepet pension.
Sipas Gjoshit, në Kosovë, nga kryeministri Kurti dhe ministrat e tij, mercenarët çmohen e nëpërkëmbën çlirimtarët.
“Gjithkund nëpër botë i duan dhe i çmojnë çlirimtarët, vetëm nga Albin Kurti dhe ministrat e tij çmohen mercenarët dhe nëpërkëmbën çlirimtarët”, ka shkruar Gjoshi.