Kuvendi komunal në Lipjan ka miratuar rregulloren e cila ndalon aktivitetet e bizneseve në këtë komunë, të dielave.
Nga ky vendim përjashtohen kafiteritë, restorantet, sallonet e ondulimit dhe dyqanet ushqimore të cilave u lejohet aktiviteti nga ora 09-14.
Por këtë vendim të dielën që shkoi, nuk e ka përfillur një dyqan ne qendër të Lipjanit, pronari i së cilit del të jetë djali i motrës së kryetarit, Imri Ahmeti.
Dyqani “Gjithçka 1 euro” me pronar Sokol Krasniqin, sipas qytetarëve ka operuar normalisht të dielën ashtu sikurse gjatë ditëve të tjera të javës. Sipas tyre dyqanet që ushtrojnë të njëjtën veprimtari nuk kanë qenë të hapura. Ata madje kanë publikuar edhe video në rrjetet sociale.
Kësisoj, Periskopi e kontaktuar kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmetin, nëse lidhja e tij familjare me pronarin ka ndikuar që ky i fundit të zhvillojë aktivitetin e tij biznesor pa u penguar.
Ahmeti në përgjigjen e tij dhënë Periskopit i është shmangur pyetjes së drejtpërdrejt, por se ka thënë se ‘asnjë biznes që ka punuar të dielën nuk është penguar”.
“Asnjë biznes këtë vikend nuk është penguar, as dënuar nga Inspektorati. Ma gjeni një biznes që është dënuar për orar dhe vetëm janë paralajmëruar që nga vikendi i ardhshëm të respektojnë orarin. .Të gjitha bizneset kanë qenë të hapura dhe natyrisht ato që kanë dashur”, ka thënë Ahmeti.
Imri Ahmeti është zgjedhur kryetar i Komunës së Lipjanit nga LDK-ja në zgjedhjet e mbajtura në tetor të vitit 2021. Njëkohësisht Ahmeti mban edhe kryetarëllëkun e Asociacionit të Komunave të Kosovë, atë të LDK-së në Lipjan si dhe është anëtar i kryesisë së po kësaj partie