Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, reagon ashpër ndaj vendimit të Qeverisë për rritjen e tatimit në pronë, duke theksuar se këto politika po i rëndojnë padrejtësisht qytetarët dhe bizneset në Kosovë.
Sipas Gjinit, komunat nuk janë konsultuar për ndryshimet në normat e tatimit në pronë, të cilat po rezultojnë me barrë të papërballueshme, sidomos për bizneset që tashmë operojnë me kosto të larta.
“Rivlerësimi i pronave është procedurë, e cila duhet që të ndodhë, por normat janë problematike. Do të kemi biznese, të cilat do të paguajnë më shumë tatim në pronë sesa shpenzime, të cilat i kanë operative, punëtorë që i mbajnë, që i paguajnë me paga. Është shumë”, tha Gjini, raporton EkonomiaOnline.
Ai tha se komunat nuk kanë kërkuar një rritje të tillë të tatimit në pronë, madje kanë qenë kundër saj.
“Nuk besoj që ka komunë në Kosovë, e cila ka kërkuar rritjen e normave të tatimit në pronë. Nuk e kemi kërkuar një gjë të tillë. Në fakt edhe kemi reaguar, duke thënë që nuk bën, për shkak se do të kemi ngarkesa të mëdha për qytetarët, nuk kemi mbërritur në atë fazë. Sidoqoftë, këto janë vendime, të cilat i ka marrë qeveria pa pajtimin e komunave. Do të ngarkohen qytetarët jashtëzakonisht shumë, do të ngarkohen bizneset. Ka qenë pak cinike që implementimi i tatimit është shtyrë deri pas zgjedhjeve, që do të thotë e kanë pasur të qartë që nuk është diçka që e do populli i Kosovës, prapëseprapë e kanë bërë, e kanë shtyrë që ta kamuflojnë deri pas zgjedhjeve. Ne i kemi treguar qytetarëve të Kosovës edhe bizneseve që do të kenë ngarkesa të larta tatimore, për të cilat komunat kanë qenë kundër”, tha ai.
Gjini komentoi edhe rritjen e çmimit të energjisë, duke e cilësuar atë të pajustifikueshme dhe shumë më të madhe sesa deklarohet publikisht. Tha se të mos harrohet që nuk është vetëm 16 për qind, që është në rritjen e më përparshme, shumë prej kur ka nisur.
“Është rritje mbi 150 për qind tash. Kosova duhet që të japë një përgjigje që kjo rritje e çmimit a korrespondon me çmimin e energjisë në tregjet ndërkombëtare. Po na thonë po, në rregull atëherë energjia që KEK ja shet distribucionit a korrespondon edhe ajo apo 35 euro të KEK që e shet energjinë nuk kalkulohet si vlerë e çmimit. Kemi probleme të mëdha edhe me shpjegu por edhe qytetarët do të kenë probleme edhe më të mëdha”, ka përfunduar Gjini./ Gazeta Papirus/